LEZHË– Mirënjohja është ndjenja më e bukur dhe kur e gjen këtë te njerëzit , aq më tepër në ditët e sotme, sigurisht është për t’u vlerësuar. Në spitalin e Lezhës ka ardhur në jetë një djalë që prindërit ia kanë vënë emrin Alban.
Për këdo ky emër mund të jetë i zakonshëm, por historia që ajo mbart e bën të veçantë. Këtë emër do e mbajë një fëmijë afgan, që së bashkë me prindërit e tij erdhën nga Afganistani, pasi jeta e tyre rrezikohej nga regjimi i talebanëve. E në shenjë falënderimi e mirënjohjeje për vendin që i hapi dyert, atëherë kur më së shumti kishin nevojë, prindërit e pagëzuan me këtë emër kuptimplotë.
Kur Albani të rritet dhe ta pyesin shokët mbi kuptimin e emrit të tij, pa dyshim do ketë një histori për të treguar.