Linja ajrore amerikane United Airlines njoftoi se ka nisur procedurat për të përjashtuar nga puna 593 punonjës të cilët kanë refuzuar të vaksinohen kundër koronavirusit (COVID-19).
Në një e-mail nga drejtuesit e kompanisë drejtuar punonjësve thuhet se ky ishte një vendim jashtëzakonisht i vështirë, por që ata duhej të garantonin sigurinë e ekipeve të tyre.
Kompania me mbi 67 mijë punonjës tha se 99 për qind e punonjësve tashmë kanë përfunduar vaksinimin, duke shtuar se personat që do të përjashtohen nga puna përbëjnë 1 për qind.
Në fillim të gushtit, United Airlines vendosi të pushojë punonjësit e pavaksinuar, më së voni deri në pesë javë pasi vaksina mori miratimin e plotë nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA).