“Unë vendos, unë them jo” kanë qenë brohorimat e qindra qytetarëve të mbledhur para Kryeministrisë për të protestuar kundër rritjes së çmimeve, jo vetëm të bukës, por edhe ushqimet e shportës dhe karburantet. Protesta e cila zgjati për rreth 1 orë, u organizua nga qytetarët me vullnet të lirë dhe nga shoqëria civile dhe në fokus të saj ishte rritja e çmimeve, pasi këto në fund rendojnë më shumë në xhepat e familjeve konsumatore.
Protestës i janë bashkuar edhe deputetë të Partisë Demokratike, si Bujar Leskaj, Albana Vokshi si dhe Dash Sula. Në protestë ka pasur edhe shumë gazetarë, aktorë dhe aktivistë të njohur si aktori Florian Binaj, Avokati Altin Goxhaj, gazetarja Rezarta Delisula, Ergys Mërtiri, Pano Soko etj, disa prej të cilëve mbajtën edhe një fjalë para publikut.
Aktori Florjan Binaj tha se:
Çdo gabim që bën qeveria i paguajmë ne, jemi të gjithë këtu për atë pabarazi. Kur është qeveria këtu? Jemi për të gjithë ata qytetarë që nuk kanë mundësi që të rrisin fëmijët. Bravo të gjithëve që jeni këtu. Dhe më shumë duhet të jemi. Nuk hamë të gjithë te Nusreti.
“Populli ka dalë për bukën e gojës, unë për vetë ditë natë do të protestoj, jam në hall të madh, jam pensioniste, të dal të lyp? Me batanije ngrohem në dimër, me rritjen që ka filluar që muaj më parë që nga vaji dhe sheqeri dhe buka së fundmi po bëhemi edhe më keq, ne shtresa e varfër kemi shumë probleme”, tha një pensionistë në protestë.