TIRANË– Policia e Tiranës i është përgjigjur me një shkresë zyrtare Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (SPAK) lidhur me ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, i cili ende nuk është gjetur.
Gazetarja Klodiana Lala ka bërë me dije se pavarësisht kërkimeve, Llalla nuk është gjetur në Shqipëri, edhe pse janë bërë të gjithë verifikimet edhe me metoda speciale. Por sërish nuk ka pasur asnjë gjurmë!
SPAK është i detyruar të nisë procedurat për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të Llallës, menjëherë pas marrjes së shkresës nga Policia, por deri më tani nuk rezulton të jetë bërë shpallja me “kartelë të kuqe”. Brenda disa ditëve pritet që të futet në listën e të shpallurve në kërkim ndërkombëtar, ndërkohë që nga Llalla nuk ka pasur asnjë reagim gjatë gjithë kohës që ndodhet në arrati.
Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Posaçme e Apelit me dy vite burg për akuzën e fshehjes së pasurisë në 3 raste. Por vetë ish-kryeprokurori ka braktisur Shqipërinë dhe është larguar jashtë vendit prej më shumë se një jave ku mësohet se po merr ndihmë mjekësore. Zyrtarisht asnjë institucion nuk di të përgjigjet se ku gjendet ish prokurori i përgjithshëm, ndonëse zëra të pakonfirmuar tregojnë se po kurohet në Zvicër, por edhe në Hungari.