Ka sërish tensione në Veri të Kosovës. Qytetarët serbë po kundërshtojnë një aksion të sotëm të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës së mallrave. Ky aksion, që ende po vazhdon është shtrirë në vende të ndryshme, përfshirë rajonin e Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut, të Prishtinës dhe Pejës.
“Të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në koordinim me prokuroritë dhe gjykatat kompetente, me urdhër të së cilave janë duke u kryer kontrolle dhe bastisje në lokacione të ndryshme si shtëpi banimi, lokale biznesi, magazina të mallrave etj”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Mësohet se është hedhur gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve, për t’i shpërndarë ata pasi ishin nisur drejt policisë.
Në këtë aksion, sipas njoftimit të Policisë së Kosovës është e përfshirë edhe Dogana e Kosovës, ndërkaq policia ka shpërndarë disa fotografi të mallrave të sekuestruara, ku vërehen që janë mallra ushqimore.