Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me 2 ngjarjet e 24 orëve të fundit që kanë tronditur opinionin publik, atë të vrasjes së Demir Backës në Fier dhe grabitjen dhe dhunimin e biznesmenit në Fushë Krujë. Deputeti i PD-së, Ervin Salianji shkruan se qeveria është e paaftë të mbrojë jetën e qytetarëve dhe pronën e tyre, madje e akuzon se i përdor këto element kriminal në zgjedhje.
“Për fat të keq gjendja e rendit publik degradon çdo ditë e më shumë! Askush nuk ndihet i sigurt për familjen, biznesin, fëmijët. Vrasjet e tipit mafioz si ajo në mes të qytetit në Fier janë shtuar, tmerri i ngjarjes së Krujës vendos kujën për gjithçka i ka ndodhur familjes së një biznesmeni, tregon mungesë e çdo lloj frike nga shteti!
Qeveria jo vetëm është e paaftë të mbrojë jetën, pronën dhe rendin por reagimet e saj janë të vobekta duke i kaluar ngjarjet si normalitet. Qeveria duhet te mbaje përgjegjësi, krahas pasigurisë social-ekonomike, shqiptaret sot nuk kanë as siguri publike”, shkruan Salianji.
Në pak orë diferencë dy ngjarje të rënda ndodhën në vend, një ishte vrasja e Fier e Demir Buckëspranë një qendre tregtare, i cili u ekzekutua me breshëri kallashnikovi nga dy autorë me një mjet në lëvizje. Pista e hakmarrjes dhe konfliktet që mund të kenë sjellë prishje të ekuilibrave me personat me influencë në Fier, dyshohet se kanë qenë dhe shkaku i ekzekutimit të tij.