KRUJË– Një fluks i madh qytetarësh, mbi 100, prej dy ditësh i drejtohen spitalit të Krujës me shqetësime të ndryshme, kryesisht, diarre, të vjella , dhimbje barku si edhe temperaturë.
Të sëmurët janë të moshave të ndryshme duke filluar nga fëmijët e deri te të moshuarit të cilët prej më shumë se 24 orësh kërkojnë mjekim.
Duhet theksuar se qytetarët janë banorë të lagjeve të ndryshme të qytetit, gjë kjo që rrit ndjeshëm dyshimet se ata mund të jenë helmuar nga uji i rrjetit i cili në Krujë konsumohet masivisht. Një gjë e tillë konfirmohet edhe nga vetë qytetarët, të cilët thonë se kanë konsumuar ujë nga çezma.
Sipas mjekëve kemi të bejmë me intoksikim alimentar, por origjina e tij mbetet për t’u verifikuar. Nga ana e personelit të shëndetit publik janë marrë disa mostra të ujit të rrjetit të cilat janë dërguar për ekzaminim, por analizat vonojnë afro dy ditë. Ndërkohë nga ana e Bashkisë dhe institucioneve të tjera nuk ka asnjë qëndrim apo lajmërim në lidhje me këtë situatë mjaft alarmante…Asnjë njoftim nuk ka që t’i paralajmërojë qytetarët që të konsumojnë ujin e rubinetit..
Asnjë nga përfaqësuesit e institucioneve nuk prononcohet për këtë situatë, por nga ana e Shëndetit Publik thanë se janë pritje të analizave të cilat do hedhin dritë mbi shkakun e kësaj situate që ka marrë përmasa të mëdha.
I vetmi reagim nga ardhur nga Policia e Krujës, e cila në deklaratën e saj thuhet se bëhet fjalë për 35 persona, por burimet të sigurta tregojnë se bëhet fjalë për mbi 100.
“Policia e Krujës, pas marrjes së njoftimit mesditën e sotme, nga urgjenca e Spitalit të Krujës, se dy ditët e fundit kanë shkuar për ndihmë mjekësore, rreth 35 shtetas, të cilët dyshohet se janë helmuar, menjëherë ka ngritur grupin hetimor, i cili ka shkuar në spitalin e Krujës dhe vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e shkakut. Nga ana e Policisë janë njoftuar organet e shëndetit publik dhe të AKU-së, për të sqaruar këtë situatë. Priten analizat nga DSHP Krujë dhe Tiranë. Grupi hetimor po kryen të gjitha veprimet procedurale, me qëllim zbardhjen e shkakut dhe sqarimin e rrethanave të këtyre rasteve”, njofton Policia.