KAVAJË- Ish-kryeministri Sali Berisha, i shpallur ‘non grata’ tashmë nga SHBA, si i përfshirë në veprime korruptive në shpërdorimin e fondeve publike, tha nga Kavaja që gjykatësi i Parisit ka pranuar padinë e tij nga sekretarit amerikan të shtetit Antony Blinken. Madje Berisha e ka ftuar këtë të fundit që të çojë provat, por sipas tij është i sigurt që prova nuk ka.
‘Gjykatësi i Parisit ka pranuar padinë e Sali Berishës. E ftoj sekretarin e shtetit Antony Blinken të dërgoje në gjykatën e Parisit, çdo provë, fakt, dokument që ka për Sali Berishën. Ju garantoj se ka zero, zero, zero. Problemin tim unë e kisha zgjidhur, dhe këtu do të them rroftë Drejtësia.’- tha Berisha.
Kujtojmë se ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, paditi për shpifje sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken, pas vendimit për shpalljen e tij “person non grata” nga SHBA-ja.
‘Foltoren’ e radhës, Sali Berisha e kishte lajmëruar me banorët e Kavajës në orën 17:00, por fjalimi i ish-kreut të PD-së, u bë rreth një orë me vonese. E për këtë vonesë, Berisha fajësoi kryeministrin Edi Rama, për të cilin thotë se me ‘skuthin e familjes’ (Kryebashkiakun e Kavajës Redjan Krrali) i ka bllokuar rrugën për ta vonuar.
‘Me skuthin e familjes zgjodhi të më bllokojë rrugën për të më vonuar. Unë do t’i them hiq dorë nga këta akte të ulëta, sepse në mënyrë absolute do të ngujohesh në Surrel. Nxorri policë për të më bllokuar rrugën’- tha Berisha.