Ka shkuar në 500 numri i qytetarëve të paraqitur në spital në Krujë për të kërkuar ndihmë shëndetësore, pas helmimit për shkak të ujit të pijshëm. Ndërkohë, sipas mjekëve, vihet re një përmirësim i lehtë i situatës, ku nga mesdita e deri mëngjesin e sotëm janë paraqitur në urgjencën e spitalit rreth 150 qytetarë. Aktualisht të shtruar në spital janë vetëm 3 pacientë, pasi pjesa më e madhe e qytetarëve janë larguar pasi kanë marrë mjekimin e nevojshëm.
Nga ana tjetër, spitali i Krujës ka kërkuar që gazetarët të mos futen në ambientet e brendshme dhe për këtë ka kërkuar edhe ndihmën e policisë.
Në një reagim zyrtar të Ujësjellësit të Krujës një ditë më parë, u tha se shkak paraprak për helmimin e banorëve, është kontaminimi i ujit të pijshëm si pasojë e reshjeve të dendura të shiut të shtunën dhe të dielën, veçanërisht në vendburimin e Malësisë së Krujës ku është konstatuar prezencë e amoniakut mbi normë.
Megjithatë, një ditë më parë banorët u shprehën se ky është një rast i përsëritur ku uji ka ardhur i ndotur dhe më parë në çezmat e tyre. Njëri prej tyre u shpreh se të njëjtat simptoma helmimi ata kanë patur edhe 3 muaj më parë.
Nga ana e personelit të Institutit të Shëndetit Publik janë marrë disa mostra të ujit të rrjetit të cilat janë dërguar për ekzaminim dhe pritet dalja e përgjigjes së analizave epidemiologjike.