GREQI- Ndryshe nga vendet e tjera që festojnë dhe kanë vendosur si ditë pushimi ditët e përfundimit të dy luftërave botërore, Greqia ka vendosur si festë kombëtare futjen në Luftën e Dytë Botërore, fillimin e luftës greko-italiane. Në Greqi, të gjithë përvjetorët e mëdhenj kombëtarë janë të lidhur me fillimin dhe jo me përfundimin e një lufte, d.m.th. me pjekurinë e kombit për revoltë kundër skllavërisë (25 Mars) ose fashizmit (28 Tetor).
Në orët e para të mëngjesit së 28 tetorit të vitit 1940 qeveria e atëhershme italiane i dërgoi një ultimatum Greqisë, nëpërmjet ambasadorit italian në Athinë, Emanuele Grazzi, i cili ia dorëzoi personalisht kryeministrit grek, Ioanis Metaksas, në shtëpinë e tij, me të cilën kërkonte kalimin e lirë të trupave italiane nga kufiri greko-shqiptar, në mënyrë që në vazhdim të pushtojë disa pika strategjike të Mbretërisë së Greqisë (porte, aeroporte, etj.), për nevojat e furnizimit dhe për lehtësira të tjera, për avancimin në Afrikë. Pas leximit të tekstit, kryeministri grek ktheu shikimin e tij tek ambasadori italian dhe u përgjigj në gjuhën franceze (gjuha zyrtare diplomatike) me frazën historike: “Alors, c’est la guerre”, (Pra, kjo do të thotë luftë), duke treguar kështu pozicionin negativ mbi kërkesat përbuzëse italiane.
Dy orë pas ngjarjes së mësipërme, filloi lufta greko-italiane me futjen e trupave pushtuese italiane, kështu, Greqia për t’u mbrojtur u përfshi në luftë.
28 tetori i vitit 1940 njihet në Greqi si dita e ‘JO’-së, ditë kur u shënua fillimi i luftës italo-greke. Që atëherë, përvjetorët e kësaj dite festohen në Greqi si festë kombëtare.
Ky vit do të festohet sërish “nën hijen” e pandemisë dhe masave anti-COVID, për shkak të rritjes së rasteve dhe viktimave nga virusi, ditët e fundit në vend.
Ndërsa çdo vit rrugët greke, mbushen me flamuj dhe parada për të nderuar këtë ditë të rëndësishme, sot, shumë nga vendet kryesisht në pjesën veriore të vendit kanë anuluar aktivitetet.