TIRANË-Kryeministri Rama prej orës 08:00 mblodhi Kryesinë e PS në selinë rozë. Për Partinë Socialiste pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet vendore të vitit 2019, do të pritej një datë nga ana e Metës brenda 45 ditësh. Deklarata është bërë nga Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri, pas mbledhjes së Kryesisë së kësaj force politike.
“Ne jemi gati edhe për zgjedhje të pjesshme vendore. Pas zbardhjes së vendimit për Gjykatën Kushtetuese do të thotë se brenda 45 ditësh Presidenti do të duhet t’i dekretojë ato siç e ka Kushtetuta ne jemi të gatshëm të marrim pjesë në zgjedhje dhe ti fitojmë ato. PS është fokusi kryesor dhe partia është ajo që konkurron në zgjedhje në çdo kohë që ato të jenë”, tha Gjiknuri.
I pyetur mbi kërkesën e demokratëve për ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore, Gjiknuri tha se është thjesht çështje procedurash parlamentare dhe komisioni do të ngrihet.
“Komisioni i reformës zgjedhore është një komision bipartizan dhe ne pas marrjes së kërkesës nga PD do të vijojmë me procedurat parlamentare dhe ta miratojmë. Nuk ka asnjë pengesë. Është shpejt për të folur për ndryshimet. Jam i bindur se PD ka propozimet e saj dhe ne kemi propozimet tona, gjithmonë”, tha ai.
Në mbledhjen e kaluar Rama ia preu gjithkujt rrugën drejt administratës publike përmes zyrave të partisë.
Ai ripërsëriti vijën e kuqe të vendosur nga Kongresi socialist që askush të mos punësohet më në institucionet shtetërore me ‘ndërmjetësimin’ e zyrave të Partisë Socialiste.