Fiks një javë pasi i bëri për ‘ujë të ftohtë’ kryetarët e bashkisë për situatën e rëndë të krijuar me menaxhimin e mbetjeve, Kryeministri Rama i kishte ftuar këtë herë në Kryeministri të zgjedhurit vendorë për një tjetër dush, atë me situatën e tmerrshme sipas tij të arkëtimeve nga ana e ujësjellësve në vend.
Parashtrimin e situatës në fillim të mbledhjes e bëri ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku e cila tha se situata është e rëndë në të gjithë territorin, duke hequr mënjanë Korçën dhe Pogradecin. Sipas saj të gjitha shifrat janë jo në përputhje me shifrat e inevstimeve në ndërmarrje.
Ashtu si një javë më parë Rama i paralajmëroi kryebashkiakët se Qeveria qendrore do të ndërhyjë në situatën skandaloze që është me ujësjellësit në vend dhe i kërkoi atyre të mos ndërhyjnë me argumentin se janë autonomë.
Duke e konsideruar ‘gangrenë’ të gjithë sektorin, Rama edhe këtë herë e kishte shembullin negativ, duke ‘kryqëzuar’ Vlorën dhe Kavajën, ndërkohë që veçoi si pozitive Korçën dhe Pogradecin. Ai theksoi se abuzimi më i madh bëhet nga bizneset dhe jo nga familjet në nevojë.
Piramida që gllabërojnë para i cilësoi ai ndërmarrjet e ujësjellësve në vend, duke i kujtuar kryebashkiakëve se deri më tani janë investuar 1.2 miliard euro, një shifër kjo shumë e lartë, dhe asgjë nuk merret mbrapsht.
Teksa nënvizoi se drejtuesit e ujësjellësit në të gjithë vendin nuk do të zgjidhen më në të njëjtën mënyrë siç janë zgjedhur deri më tani, pasi Qeveria nuk do ta lejojë më këtë, Rama tha se është e turpshme që disa nuk shkojnë në punë fare dhe të tjerë shkojnë për të bërë dëm.
Ndryshe nga takimi i kaluar ku mungoi e pranishme në takim në Kryeministri ishte edhe Voltana Ademi, kryebashkiakja e Shkodrës, e vetmja që i përket Partisë Demokratike nga 61 të zgjedhurit vendorë.