ELBASAN– Droni me parullën për Taulant Ballën ku shkruhej “Taulant Balla, Elbasani ty të do”, i ka kushtuar Federatës së Futbollit 37.500 franga. FIFA ka marrë vendimin për të gjobitur Federatën Shqiptare me argumentin se është “cenuar rendi dhe siguria në ndeshje, ‘pushtim’ i fushës së lojës, mungesë rregulli, lëshimi i droni me një mesazh të papërshtatshëm për një ngjarje sportive”.
Droni u ngrit në 5 shtator në ‘Elbasan Arena’, 3 ditë pasi kryeministri Edi Rama e hoqi Taulant Ballën si drejtues politik në Elbasan, duke e spostuar në Fier si e largoi nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm, duke e lënë vetën në krye të grupit parlamentar të PS-së.
Gjyqtari ndali për pak sekonda lojën, por kjo nuk e pengoi mbarëvajtjen e ndeshjes, ku kuqezinjtë fituan me rezultatin 1-0, me një gol të Armando Brojës, ndeshje kjo në kuadër të Botërorit, Katar 2022.
Ndërkohë, më herët Shqipëria u gjobit edhe për sjelljen e gabuar të tifozëve në përballjen me Poloninë.