TIRANË-Përfundon më në fund pas gati 2 vite e gjysmë saga e zgjedhjeve lokale të qershorit të vitit 2019. Gjykata Kushtetuese tashmë ka vendosur duke rrëzuar kërkesat që kërkonin jo kushtetuetshmëri të zgjedhjeve, kërkesa këto të bëra Voltana Ademi si kryetare e shoqatës së bashkive dhe të mbështetura fuqimisht nga Presidenti Ilir Meta dhe partitë opozitare.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancat plenare publike në datat 23.06.2021 dhe 02.11.2021 çështjen me palë kërkuese Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, me objekt: 1. Konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar në 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve. 2. Verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019. Gjykata Kushtetuese, pasi dëgjoi palët ndërgjygjëse në gjykimin kushtetues, mori në shqyrtim opinionin amicus curiae të Komisionit të Venecies, vendimi : Rrëzimin e kërkesës. Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”, thuhet në dispozitivimin e vendimit të Kushtetueses.
Pas opinionit final të Komisionit të Venecias për zgjedhjet lokale të 30 qershorit të vitit 2019, Gjykata Kushtetuese u mblodh më 2 nëntor në seancën e ndërprerë plenare për të diskutuar.
Në seancë ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve të interesuara si nga Kuvendi, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Avokati i Popullit, dhe partia Bindja Demokratike. Gjithashtu është edhe kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, e cila ka bërë edhe kërkesën në Kushtetuese.
Kujtojmë se Komisioni i Venecias u shpreh se Gjykata Kushtetuese nuk mund ta ketë në kompetencën e saj gjykimin si antikushtetues apo jo një proces zgjedhor si ai i zgjedhjeve vendore të vitit 2019, por kjo nuk e pengon që të ushtrojnë kontroll mbi legjislacionin zgjedhor.
Komisioni i Venecias la në fuqi zgjedhjet e 30 Qershorit dhe nuk këshillonte Gjykatën Kushtetuese që t’i përsërisë zgjedhjet e 30 Qershorit.
Ndërkohë kujtojmë se 6 bashki janë pa kryetar, dhe mazhoranca nga ana e saj është shprehur e gatshme për një përballje të parakohshme elektorale lokale me demokratët. Presidenti Ilir Meta deri më sot ka refuzuar të dekretojë një datë për zgjedhje në ato bashki, të cilat humbën kryetarin rrugës, pasi nuk pranonte ta njihte 30 Qershorin, por Partia Socialiste pret që Presidenti të ndryshojë qëndrim pas vendimit nga Gjykata Kushtetuese.
Në 6 bashki pritet që të zhvillohen zgjedhje të parakohshme lokale, Shkodër, Durrës, Vorë, Dibër, Rrogozhinë dhe Lushnjë. Nga 6 bashki, Shkodra është e vetmja qe drejtohet nga një kryetare me mandat të përfunduar kushtetues, pasi Voltana Ademi vendosi të qëndroje në detyre, ndërsa 5 bashkitë e tjera vijojnë punën me kryetar të komanduar.
KËRKESA E SHOQATËS SË BASHKIVE TË SHQIPËRISË
1. Konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar në 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve.
2. Verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019.
VAKANCAT NË BASHKI
Valdrin Pjetri, Shkodra, për shkak të dekriminalizimit
Valbona Sako, Durrës, për shkak të dorëheqjes
Agim Kajmaku, Vorë, për shkak të dekriminalizimit
Dionis Imeraj, Dibër, kandidoi për deputet
Haxhi Memolla, Rrogozhinë, ndahet nga jeta
Fatos Tushe, Lushnje, për korrupsion