Përfundon seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj tre personave të dyshuar si autorë të grabitjes me armë të noterit Thoma Kaçi.
Burime bëjnë me dije se për Oltjon Kolonja allias Oltjon Pula 39-vjec, Elis Avduli allias Mile Xhafa, 52-vjec dhe Vladrias Himaj, 34-vjec, u vendos masa e sigurisë “Arrest me burg”.
Kjo, e njëjta masë sigurie që kërkoi prokurori Ilir Hoxha. Autorët e dyshuar të grabitjes nuk e kanë pranuar akuzën, duke mbajtur qëndrim mohues.
Policia e Sarandës më herët bëri me dije se gjeti armë e zjarrit tip automatik që u përdor nga autorët për grabitje në banesën e noterit Thoma Kaçi dy javë më parë.
Pista kryesore e hetimeve është ajo e një grabitje për hakmarrje, pasi noteri Kaçi është person nën hetim, i dyshuar për falsifikimin e dokumenteve në shit-blerjen e 28 apartamenteve.
Si ndodhi grabitja
Ngjarja ndodhi mëngjesin e 20 tetorit në momentin kur Kaçi po dilte me gruan dhe djalin nga banesa e tyre në mëngjes. Në atë moment ata dëgjuan derën të hapej nga dy grabitësit e maskuar dhe të armatosur. Nën kërcënimin e armës ata i detyruan të futen sërish brenda duke i lidhur në karrige dhe më pas u bënë presion për t’u treguar se ku i fshihnin paratë. Pas kërcënimeve të vazhdueshme Kaçi u tregoi se ku ndodheshin paratë. Ata morën 20 mln lekë të vjetra në banesë dhe më pas u larguan. Noteri arriti të telefonojë policinë dhe ishin efektivët që e liruan nga karrigia.
Hetimet ndaj Kaçit
Hetimet ndaj tij kanë nisur në janar 2021 pas denoncimit të Vasil Qirkos, ndërsa më 13 korrik prokuroria i ka kërkuar Gjykatës së Sarandës “deklarimin fajtor të të pandehurit Thoma Kaçi për akuzën e falsifikimit të dokumenteve noteriale dhe dënimin e tij me 9 muaj burg”.