Florenc Kovaçi mbeti i vrarë 3 ditë më parë në Elbasan, pasi bashkë me të vëllanë u përfshinë në konflikt me Arditën Hidën. Ky i fundit goditi me thikë për vdekje 26-vjeçarin Kovaçi dhe plagosi rëndë të vëllanë, Mikel Kovaçi. Autori ka pranuar krimin, ndërsa gjykata vendosi sot ndaj tij masën e sigurisë ‘arrest me burg’.
Pas këtij krimi të rëndë duket se qëndron një plagë e rëndë sociale, siç është marrëdhënia seksuale me të mitur dhe trafikimi i lëndëve narkotike. Mirela Kuçi tregon me dhimbje momentet e fundit të të birit. Ajo deklaron se i biri u përfshi në konflikt për të mbrojtur vëllanë nga babai, 19 vjeçarin Mikel Kovaçi, i cili kishte një lidhje intime me motrën e autorit të krimit. Mirela Kuçi kërcënon me vetëgjyqësi, nëse gjykata nuk do të japë dënim maksimal për 24 vjeçarin Hida.
Nga ana tjetër janë familjarët e autorit, Ardit Hida, të cilët kanë deklaruar se ai e ka kryer krimin për të mbrojtur të motrën 14 vjeçe që shfrytëzohej për prostitucion dhe shpërndarje narkotikësh nga dy vëllezërit Kovaçi.
Këto pretendime i ka artikuluar gjyshja e Hidës, ndërsa vetë vajza e mitur ka pranuar se ka shpërndarë lëndë narkotike për një vit e gjysmë. Ajo tha se Mikelin e kishte më shumë se shok, por miqtë e dy vëllezërve e kanë shfrytëzuar për 1 vit.
Pas këtyre deklaratave të forta në media, të dy familjeve Kovaçi e Hida pritet që policia të zgjerojë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes që prodhoi krimin e rëndë.