Për gati 2 javë Durrësi do të shndërrohet në qendrën e një gjykimi shumë të rëndësishëm me efekt në marrëdhëniet ndërkombëtare. Një nga zyrtarët e regjimit iranian, i akuzuar për krim kundër njerëzimit dhe krime lufte, po gjykohet nga një gjykatë suedeze.
Gjykimi i Hamid Noury, i cili ka qenë zëvendës prokuror i një burgu në Iran ka nisur më 10 gusht dhe vazhdon ende. Krimi për të cilin bëhet fjalë ka ndodhur në korrik 1988, kur mendohet se 30,000 të burgosur politikë u masakruan pas seancave gjyqësore të parregullta që zgjatnin një ose dy minuta. Të gjitha viktimat janë varrosur në fshehtësi në varre masive të fshehta. Mbi 90 përqind e viktimave ishin aktivistë të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit.
Duke filluar nga sot, me ditë me radhë anëtarë të kampit Ashraf në Manëz të Durrësit do të dëshmojnë për krimet që ata denoncojnë se ka bërë Hamid Nour.
Në një veprim të paprecedent, më 26 tetor në fillim të seancës, gjykatësi suedez shpalli se i gjithë trupi gjykues i Stokholmit do të zhvendoset në Durrës të Shqipërisë për dy javë. Gjyqi do të nisë në Durrës më 10 nëntor dhe do të vazhdojë deri më 19 nëntor.
Gjykata ka vendosur të zhvendoset në Shqipëri për të dëgjuar dëshmitë e shtatë dëshmitarëve kyç, të cilët janë të gjithë anëtarë të MEK dhe banojnë në Ashraf 3, që është shtëpia e 2,800 anëtarëve të MEK.
Nisur nga rëndësia e këtyre dëshmive për çështjen, të gjashtë gjyqtarët, dy prokurorë, avokatë të palës paditëse, përkthyes, dhe avokati i Noury do të vijnë në Shqipëri.
Kjo është bërë e mundur pas një koordinimi mes drejtësisë suedeze dhe asaj shqiptare. Drejtësia shqiptare ka rënë dakord për të mundësuar zhvillimin e gjyqit në Durrës, i cili është qyteti më i afërt me Ashraf 3. Shqipëria është vendi i vetëm ku do të zhvendoset ky gjyq.
Një numër shumë i madh të mbijetuarish, dëshmitarësh dhe familjarësh të viktimave do të jenë në Durrës gjatë seancave gjyqësore.