Një operacion që me siguri do të mbetet në histori! Kështu e cilësojnë mediat italiane sekuestrimin e 476 kg kokaine të pastër në Arezzo, ku në pranga u vu një shqiptar, banues në Itali dhe pa precedentë të mëparshëm penalë.
38-vjeçari shqiptar me iniciale E.C, po udhëtonte në autostradë me një kamion që tërhoqi vëmendjen e një patrulle policie, pasi po kryente manovra të rrezikshme, duke qarkulluar në mënyrë zig-zag dhe me një sirenë me dritë të verdhë të ndezur.
Më pas mjeti është ndalur nga patrullat e policisë rrugore, ku drejtuesi dhe pronari i kamionit është identifikuar si një 38-vjeçar shqiptar, banues në provincën e Firences.
Shqiptari u shfaq shumë i shqetësuar nga kontrolli i policisë rrugore. 400 pako të kokainës ishin fshehur në kamion dhe u gjetën pas kontrollit të policisë. 38-vjeçari u arrestua për veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike, për sasi të konsiderueshme dhe u la në paraburgim.
Ndërkohë që një hetim ekonomik ka nisur tashmë për shqiptarin i cili është pronar i dy kompanive që operojnë në sektorin e ndërtimit. Sekuestrimi i kokainës rezulton të jetë më i madhi i kryer ndonjëherë në Arezzo dhe droga mund të kishte sjellë mbi 45 milionë euro nëse do të hidhej në treg.