Akuzat e Lulzim Bashës dhe Gazment Bardhit se ‘Foltorja’ e Berishës nuk ka mbledhur dot as ¼ e firmave që duhen nga delegatët për të thirrur Kuvendin Kombëtar të PD, i është përgjigjur Edi Paloka, i cili ka ftuar gazetarët duke u hapur kasafortën e tij ku mbahen 4200 firmat e dorëzuara pak ditë më parë nga Berisha. Paloka tha se ai i ka numëruar dhe janë dorëzuar 4200 firma, ndërsa pritet t’i shtohen dhe të tjera që po sillen pjesë-pjesë nga përfaqësuesit e Berishës.
Pse firmat iu dorëzuan atij dhe jo dikujt tjetër, Paloka tha se ka humbur besimi te njëri tjetri në PD dhe se partia është e përçarë në dy palë, ku ai ndodhet në mes për momentin.
“Qëllimi sot, i gazetarëve është kush ka durim të ulet dhe t’i shohë këta formularë. Të dhënat personale, ato që duhet të ruhet fshehtësia ju lutem të mos i fokusoni. Janë 4200 të dorëzuar atë ditë, kanë ardhur dhe formularë të tjerë, por rrimë tek 4200. Janë formularë të plotësuar nga delegatët. Delegatët e Kuvendit janë të përcaktuar në statut, janë pjesëtarë të kryesisë së degëve, anëtarë të Këshillit Kombëtar, deputetë dhe deri tek kryetari i partisë. Të gjithë këta që kanë firmosur nuk janë thjesht anëtarë, por janë delegatë të Kuvendit. Delegatët nuk ndryshojnë, janë po ata. Nga kryetar seksioni deri tek kryetari i partisë të degës. Janë të gjitha të dhënat, emër, mbiemër, emër të babës, numrat e kartës së identitetit dhe funksionin në parti që i bën delegat. As unë dhe as ju nuk do bëni verifikimin e emrave. Këtë gjë e bën komisioni i verifikimit të mandateve në Kuvend.
Unë jam si kryetar i këshillit, njëra palë më ka kërkuar të depozitoj këta formularë. Ky është kuvend i jashtëzakonshëm. procedurat e statuti parashikojnë kur kuvendi mblidhet në mënyrë normale. në këtë rast kur nuk iu përgjigjen detyrimeve statutore, jemi të detyruar t’i bindemi vullnetit të shumicës së Kuvendit të PD-së. Jemi të detyruar të zbatojmë detyrat tona statutore. Nëse dikush nuk e zbaton këtë detyrim, atëherë kanë detyrimin firmëtarët, që janë realisht nismëtarët e Kuvendit të vazhdojnë me procedurat. Ata që kanë firmosur nuk janë anëtar të thjeshte por delegatë të Kuvendit siç i parashikon dhe statuti. Ne jemi në krizë duam apo jo ta pranojmë, kjo çështja a duhet lajmëruar një orë para apo jo, janë cic mice që nuk i vlejnë Partisë Demokratike Jemi ndarë në palë dhe unë jam në mes për momentin, fatkeqësisht ka humbur besimi tek njëri tjetrit në PD”, tha Paloka.