Bregdeti i Shëngjinit është ndotur për shkak të derdhjes së një sasi nafte. Ndotja, e shtrirë 1 km të gjatësisë bregdetare, është konstatuar ditën e sotme nga banorët, duke krijuar një situatë mjaft problematike, jo vetëm për shkak të aromës së rëndë, por edhe dëmit që i shkakton botës nënujore.
Banorët shprehen se nuk e dinë nga se është shkaktuar ndotja, duke hedhur dyshime mbi anije që mund të kenë derdhur mbetje.
“Ndotja është konstatuar sot, pamë që ka prezencë të naftës, dallohet edhe nga aroma. Ndotja është e madhe, i bën dëm edhe jetës së gjallë në det. Krijohet edhe impakt negativ për ata turistë të paktë që janë në këtë periudhë. Është një aromë shumë e rëndë. Nuk e dimë se çfarë e ka shkaktuar ndotjen, por mund te ketë qenë anije që bëjnë shkarkimin këtu, derdhin mbetjet. Deri më tani askush nuk ka ardhur për të kryer verifikime”, shprehet një banor.
“Ndihet një erë e rëndë naftë, është ndotja katastrofike, ky është krim, a behët qëllim me shkatërruar Shëngjinin. Është tepër e rëndë, kush mban përgjegjësi? Rama tha se Lezha është numër një nga pastërtia, kjo është pastërtia?”, tha një tjetër banor.
Pas denoncimit në media, në terren kanë mbërritur autoritetet, ku Policia kufitare, drejtoria e mjedisit dhe Policia e Shtetit kanë nisur verifikimet. Ndërkohë që burime
bëjnë me dije se kanë nisur verifikimet për dy anije me flamur shqiptar, njëra prej të cilave ndodhet e ankoruar në portin e Shëngjinit, ndërsa tjetra ka dalë nga porti ditën e djeshme.
Në një prononcim për mediat, drejtori i Drejtorisë Rajonale për Mbrojtjen e Mjedisit në Lezhë, tha se do të kontaktojnë me Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare në Durrës, (QNOD) për të zbuluar shkaktarin.
“Ne sapo u vumë në dijeni për këtë incident mjedisor erdhëm menjëherë këtu. Ajo që është e rëndësishme dhe vlen të theksohet është se tashmë ndotje nuk do të ketë më, ai ka qenë një incident i momentit. Etapat në vazhdim kanë të bëjnë me nxjerrjen e shkaktarit të kësaj ndotjeje dhe për këtë do bëjmë kontakte me QNOD në Durrës dhe me kapitenarinë e portit. Kontaktet kanë të bëjnë me anijet që kanë kaluar gjatë kësaj periudhe për të ditur se nga cila anije mund të ketë ardhur ndotja”, tha Frroku.