Partia Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti ka regjistruar një humbje të thellë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, duke korrur fitore në vetëm 1 mes katër komunave më të mëdha, në Gjilan. Kandidati i LVV, Alban Hyseni mundi të marrë 51.03% të votave, përballë kandidatit të LDK-së, Lutfi Hazirit që mori 48.88%.
Ndërkohë LDK ka korrur fitore të madhe në Prishtinë, me kandidatin Përparim Rama që mori 51.07% të votave, përballë Arben Vitias të LVV që mori 48.93%. Ishte ky i fundit i cili i uroi i pari fitoren Ramës.
Prizrenin e ka fituar kandidati i PDK-së, Shaqir Tozaj me 51.01% përballë kandidatit të LVV, Mytaher Hasksuka me 48.99%. Komunën e Gjakovës e ka fituar kandidati i AAK-së, Ardian Gjini me 56.06% të votave, përballë Mimoza Kusari Lila me 43.94%.
Kur kanë mbetur kutitë e fundit për t’u numëruar, në garën në balotazh, PDK ka fituar 5 komuna, LDK 5, LVV 4 komuna, AAK 3 komuna, nga 1 komunë kanë fituar Nisma, Lista Serbe, KDPT (parti e minoritetit turk) dhe 1 kandidat i pavarur.
Lista nga rezultatet e deritanishme:
LVV: Gjilan, Kamenicë, Podujevë, Shtimen
LDK: Prishtinë, Istog, Fushë Kosovë, Junik, Viti
PDK: Prizren, Gllogoc, Dragash, Kaçanik, Vushtrri
AAK: Gjakovë, Klinë, Rahovec
Nisma: Malishevë
Iniciativa Qytetare për Obiliqin: Obiliq
KDTP: Mamushë
Lista Serbe: Kllokotit
Raundi i dytë i zgjedhjeve vendore në 21 komuna të Kosovës u mbyll pa incidente, teksa votimi nisi në orën 7 të mëngjesit ndërsa kutitët e fundit të votimit u mbyllën në orën 19.00. Përgjatë këtij raundi u shënua një pjesëmarrje prej 38 për qind të votuesve, ndërsa i gjithë procesi u monitorua nga 10 mijë vëzhgues vendas e ndërkombëtar.
Kujtojmë se në raundin e parë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës fitoi në katër komuna e pasuar nga Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që fituan nga dy. Lista Serbe fitoi 9 nga dhjetë komunat ku shumicë janë pjesëtarët e këtij komuniteti. Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti, nuk fitoi asnjë post për kryetar komune në raundin e parë.