Policia Rrugore e Tiranës ka rritur prezencën në rrugë dhe ka intensifikuar kontrollet me radarë e dragera me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Përgjatë ditë së djeshme dhe deri në orët e vona të mbrëmjes, Policia Rrugore e Tiranës ka monitoruar me radar qarkullimin rrugor në aksin Sauk – Teg – Krrabë e anasjelltas dhe Tiranë – Vorë – Tiranë.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës kanë vijuar me kontrolle të befasishme dhe me afat të shkurtër kohor në shumë pika të kryeqytetit me qëllim evidentimin e drejtuesve të automjeteve që drejtojnë mjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Si rezultat i kontrolleve vetëm gjatë orëve të mbrëmjes së sotme deri në orën 23:20, janë evidentuar nga monitorimi me radar 13 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi mbi normat e lejuara, shpejtësi që varionin nga 140 km/h deri 178 km/h, rrezik potencial për përfshirje në aksident rrugor, të cilëve iu është pezulluar leja e drejtimit nga 1 deri në 12 muaj.