Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka mbërritur në Bullgari pas aksidentit tragjik, ku humbën jetën 45 shqiptarë të Maqedonisë së Veriut. Zaev i ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave, ndërsa theksoi se në vendngjarje ka mbërritur edhe një ekip nga Maqedonia e Veriu. Zaev bëri me dije se për aksidentin e rënë e kishte informuar Presidenti bullgar, Rumen Radev.
Kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllime lidhur me tragjedinë në Bullgari ku një autobus mori flakë ku humbën jetën 45 shqiptarë nga Maqedonia e Veriut. Rama shkruan se nuk ka fjalë për tragjedinë dhe se kjo është vetëm dhimbje.
“S’ka fjalë për tragjedinë e autobusit nga Maqedonia e Veriut në Bullgari, ku kanë humbur jetën thuajse të gjithë udhëtarët. Dhimbje”, shkruan Rama.
Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka reaguar pas aksidentit tragjik në Bullgari, ku humbën jetën 45 pasagjerë, shqiptarë të Maqedonisë së Veriut dhe mbetën të plagosur 7 të tjerë. Xhaçka i shpreh ngushëllimet familjarëve të viktimave, teksa thotë se Shqipëria gjendet pranë Maqedonisë së Veriut dhe popullit të saj në këto momente të vështira.
“Dhimbje e madh për 45 jetët e humbura të shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut gjatë aksidentit tragjik në Bullgari. Ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave dhe shërim të shpejtë të plagosurve. Shqipëria është pranë Maqedonisë së Veriut dhe popullit të saj në këtë moment të vështirë!”, shkruan Xhaçka.