Ish-kryeministri Sali Berisha, nga ‘Foltorja’ e Burrelit deklaroi këtë mbrëmje se Edi Rama merr më 11 dhjetor, në ditën e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të PD, përgjigjen më të hidhur që mund të ketë marrë ndokush këto 30 vite. Berisha i bëri thirrje Sekretarit të Përgjithshëm dhe nënkryetarëve të PD të japin dorëheqjen e të mos rrijnë si skllevër të Bashës, por t’i bashkohen këtij Kuvendi për të mirën e tyre.
Më tej, ish-lideri i demokratëve u shpreh se pengu i Ramës, Lulzim Basha i cili është futur në lojën më të rrezikshme 30 vitet e fundit në atentat ndaj lirisë së shqiptarëve dhe pluralizmit politik, do të arkivohet në arkivat e turpit të historisë së këtij vendi. Berisha tha se Basha është bërë varrmihësi i shpresës së vrarë nga Edi Rama, ndërsa i drejtoi një pyetje kryedemokratit nëse ka ndarë para me Taulant Ballën lidhur me çështjen ‘Toyota Yaris’.
” I deklaroj Sekretarit të Përgjithshëm, nënkryetarëve të PD, jepni dorëheqjen menjëherë, mos rrini si sklllevër të peng Bashës se do bëni gabimin më të rëndë për veten tuaj. Mafia e George Soros e cila bëri gjithçka për të shtruar opozitën shqiptare në një ministri të narkoshtetit, do të dështojë, dhe këtë dështim e mirëpret Shqipëria, forcat konservatore në Shtetet e Bashkuara dhe kudo në botë. Kanë qenë vite të vështira, ku ju keni derdhur lumenj djerse, ku ju u varfëruat në mënyrën më të shpejtë që mund të ndodhë, fëmijët tuaj u larguan masivisht nga Shqipëria, vite të cilat krimi dhe droga bëjnë ligjin në rrugë, qytet e fshat, bëjnë ligjin në parlament, qeveri e kudo, kërcënojnë përditë jetë njerëzish, prona dhe vende pune.”-tha Berisha,
Ish-kryeministri deklaroi se këto tetë vite, Shqipëria kaloi nga një rekord i zi në një tjetër dhe u bë delja e zezë e Ballkanit dhe e Europës, ndërsa shtoi se opozita për shkak të një dështaku, u shndërrua në një aleat të pashpallur të narkoshtetit. Ai u shpreh se në 8 vite, shqiptarët kaluan nga qytetarët me rrogën mesatare më të lartë në rajon, në qytetarët me rrogën më të ulët në rajon, 30 për qind më të ulët se në Kosovë.
“Në 8 vite, Shqipëria, shqiptarët, kaluan nga qytetarët me rrogën mesatare më të lartë në rajon, në qytetarët me rrogën më të ulët në rajon, 30 për qind më të ulët se në Kosovë. Kafshata e gojës kushton në Shqipëri 80 herë më shumë se në Bashkimin Europian. Tenderat sekretë janë rritur me 15 herë, kilometri në fushë, kushton shumë më shumë se çka kushtuar kilometri i tunelit në Kalimash dhe Qafë Krrabë. Ka një vjedhje të taksave tuaja. Nëse Rama ekzekuton shpresën çdo ditë, Lulzim Basha është bërë varrmihësi i saj, sepse nuk ngjall shpresë.”-tha Berisha.
Berisha komentoi gjatë takimit me demokratët e Matit edhe formularët e shpërndarë nga PD një ditë më parë, për thirrjen e Kuvendit Kombëtar në datën 18 dhjetor. Berisha tha se pseudoformularët kanë dalë nga zyra e Edi Ramës aq sa aty janë parashikuar edhe partonazhistët, një sistem i huazuar nga PS. Griseni atë formular, ishte porosia e Berishës për anëtarësinë demokrate, duke i ftuar ata që të marrin pjesë te Kuvendi i rithemelimit të PD më 11 dhjetor.
“E patë një pseudoformular të marrë nga zyra e Edi Ramës, ku thuhet personi përgjegjës ‘partonazhisti’. I dha edhe sistemin e patronazhistëve. Griseni atë paçavure po erdhi, por me duket se nuk ia merr njeri. I them Edi Ramës se erdhe në pushtet duke bërë thirrje hapur i gjithë llumi të bashkohet kundër Sali Berishës, unë u bëj thirrje grave, burrave, njerëzve idealistë, të bashkohemi për të shpëtuar Shqipërinë nga narkoshteti për ta bërë atë vend të shpresave tona, vend të shpresave të fëmijëve tanë. 11 dhjetori shënon fillimin e revolucionit tonë. Ne e dimë se Edi Rama është armik i votës, nuk heq dorë nga rrëmbimi dhe plaçkitja e saj, por ne zotohemi se do të votojmë të lirë, i themi Edi Ramës se do të votojmë të lirë pa ty. Bëhu gati, na ke borxh votën, po nuk e hape rrugën, do të të detyrojmë ne ta hapësh. Ne do të votojmë. Një biznesmen më tha se nëse nuk betohemi për protestë 6 mujore kundër kreut të Meduzës, ne nuk jemi demokratë. Ne nuk i ndahemi atij, e ka ndjerë ai, prandaj është tmerruar”, – u shpreh Berisha.
Sakaq, Berisha tha se Lulzim Basha duhet të japë llogari për pozicionin e tij për çështjen e parave të sekuestruara në ‘Toyota Yaris’. Duke e pyetur Bashën nëse ka ndarë apo jo para me Taulant Ballën, Berisha theksoi se Rama e mban peng Bashën me këtë çështje.
“Meqë jam sot këtu para jush do ti kthej një përgjigje. 3-5ditë më parë u ankua se po e sulmoj me fjalët e Edi Ramës. Peng Basha nëse Edi Rama thotë një gjë që qëndron, Sali Berisha nuk e mohon kurrë. Është e vërtetë që Edi Rama të ka përmendur ty ‘Toyta Yaris’, por është e vërtetë që e mban peng me atë. Prandaj peng Basha, dil dhe sqaro aferën e Toyta Yaris, ndave apo nuk ndave para me Taulant Ballën me atë aferë. Doli në Parlament tha se të shtunën do të vijnë Toyota Yaris me miliona euro. I thashë ku e dije, më tha që kishte informacione. Eurot erdhën por nuk u kthyen. Prisni, prisni…. Tani Eurot nuk u kthyen mbrapsht, por erdhën direkt në Durrës, erdhën në Durrës 1.5 milionë më pak. Kanë ardhur disa herë hetuesit belg dhe Basha u fshihet. Rama të mban peng dhe unë të kërkoj transparencë dhe demokratët duan transparencë”, tha Berisha.
Situata në PD është mjaft e ndarë, me dy Kuvende Kombëtare, një i thirrur më 11 dhjetor nga Sali Berisha dhe një tjetër më 18 dhjetor thirrur nga kreu i PD, Lulzim Basha. Pak ditë më parë, pas takimit të zhvilluar me dyer të mbyllura me 71 kryetarët e degëve, Basha tha se kushdo që shkel vendimin e Kryesisë së Partisë, përfshirë këtu edhe Sali Berishën, fatin e ka të caktuar nga Statuti i Partisë. Me këtë ai ka nënkuptuar se kushdo që paraqitet në Kuvendin e thirrur nga Sali Berisha do të këtë pasoja.