LEZHË-Dy persona janë arrestuar për trafikim dhe prodhim të minave me telekomandë që më pas do të përdoreshin nga bandat e krimit për sulmet e tyre. Në pranga ranë Agron Manuka, 42 vjeç, banues në Durrës dhe Imer Losha, 46 vjeç, banues në Dibër.
Sipas të dhënave konfidenciale, Agron Manuka ka marrë në telefon Imer Loshën i cili punon taksi në të zezë në Bulqizë dhe i ka kërkuar që ta transportojë atë deri në Lezhë. 46-vjeçari Losha ka pranuar dhe nuk e ka ditur se çfarë pasur në çantë Agron Manuka i cili ishte banues në Durrës.
Policia i ka ndaluar ata në aksin e vjetër Milot-Lezhë, në fshatin Pllanë dhe u ka sekuestruar 30 kallëpe eksploziv C-4 dhe 17 kapsolla detonatore që do i shisni në Shkodër, ku dy prej kallëpe ishin bërë gati dhe lidhur me celularët që do të aktivizonin shpërthimin.
Policia vijon hetimet për identifikimin e të përfshirëve të tjerë në prodhimin e minave me telekomandë, ndërsa dy të arrestuarit do të përballen me veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja e armëve luftarake, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive”, kryer në bashkëpunim.