Botës i është shtuar tashmë një republikë e re. Mbretëreshës Elisabeth i është hequr një ‘kurorë’. Ajo nuk është më monarke e Barbadosit, i cili me një ceremoni të veçantë bëri dorëzimin e pushtetit të hënën në mesnatë.
Barbados është bërë një republikë, duke zëvendësuar monarkun britanik si kreun e shtetit dhe duke shkëputur lidhjet e fundit koloniale të mbetura gati 400 vjet pasi anijet e para angleze mbërritën në ishullin e Karaibeve.
Republika e re lindi mes brohoritjeve të qindra njerëzve që ishin mbledhur në urën Chamberlain në kryeqytetin, Bridgetown, në mesnate.
Pas një shfaqjeje vallëzimi me muzikë Barbados, të kompletuar me fjalime që festonin fundin e kolonializmit, Sandra Mason u betua si presidentja e parë e Barbados nën hijen e parlamentit të Barbados.
Në ceremoni ishte i pranishëm Princi Charles.
“Krijimi i kësaj republike ofron një fillim të ri. Nga ditët më të errëta të së kaluarës sonë dhe mizorisë së tmerrshme të skllavërisë, që e njollos gjithmonë historinë tonë, njerëzit e këtij ishulli e shtruan rrugën e tyre me guxim të jashtëzakonshëm”, tha ai.
Barbadosi është një ishull i vogël që shtrihet në lindje të Karaibeve dhe në veri të Amerikës Jugore, jo shumë larg Venezuelës. Një nivel të caktuar të sovranitetit e ka pasur që nga viti 1966, kur edhe është anëtarësuar në Kombet e Bashkuara. Ishulli ka sipërfaqe prej 439 kilometrash katrorë dhe sipas vlerësimit të vitit 2019, ka rreth 287 mijë banorë. Shumica e popullsisë kanë prejardhje afrikane. Barbadosi njihet si destinacion i popullarizuar turistik.
Ishulli njihet nga e gjithë bota edhe si atdheu i Rihanës, këngëtares së madhe, e cila ishte e pranishme në ceremoninë e djeshme.