TROPOJË– Ish-kryeministri Sali Berisha është rikthyer në Tropojë, ku ka vijuar me akuzat e tij në drejtim të Lulzim Bashës. Në një kohë që Lulzim Basha thotë se po takon bazën e partisë, Berisha e akuzon se ai po “blen” demokratët duke i kërkuar që të firmosin për ’18 dhjetorin’ dhe në këmbim do u japë poste drejtorësh dhe zv.ministrash në qeverinë e Ramës. Kjo sipas Berishës, është një tregues se Basha dhe Rama po bashkëpunojnë.
” Në 8 vite peng kryetari që na çoi nga dështimi në dështim, me qëndrimet e tij defaktorizoj PD, e çoi para alternativës të jetë apo të mos jetë. 2 ditët e fundit, pengkryetari me një grusht vasalësh, po përpiqen që të mbledhë firma duke ofruar poste drejtorësh, zv.ministra në kabinetin e Ramës”, tha Berisha.
Megjithatë, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryedemokratit Lulzim Basha, i cili thotë se kjo që po bën Berisha nuk është gjë tjetër veçse poshtërim i demokratëve.
“Sali Berisha e di që demokratët po konfirmojnë pjesëmarrjen në Kuvend dhe përhap lajme të rreme, duke dashur t’i poshtërojë ata. Demokratët do të vijnë në Kuvend më 18 Dhjetor sepse duan bashkimin jo përçarjen, duan fitoren, jo izolimin e PD”, shkruan ndër të tjera Basha.