ELBASAN- Dy inspektorë të Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në Elbasan janë arrestuar nga policia pasi kanë lejuar ndërtimin e një godinë 5000 m2, pa leje në zonën e mbrojtur në Llixha në Elbasan. Përkatësisht janë vënë në pranga të policisë për ‘ndërtim të paligjshëm’ shtetasit Donald Ziu, 28 vjeç dhe Alian Zabeli 34 vjeç. Ky i fundit i proceduar penalisht për abuzim me detyrën edhe pak javë më parë për shpërdorim detyre.
Policia ka arrestuar edhe 6 punëtorët e ndërtimit: Indrit Çekrezi, 33-vjeç, Xhoi Pullumbi, 23-vjeç, Kristo Gjyla, 35-vjeç, Albion Dedja, 39 vjeç, Shkëlqim Vlashi, 35-vjeç, Selman Vlashi, Kledis Muça, 21-vjeç. Ndërsa është shpallur në kërkim, Todi Puka, pronar i Hotel Puka në vendin e quajtur Llixha poshtë Elbasan, i dyshuar për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi Todi Puka, ka ndërtuar një kompleks me sipërfaqe të madhe, në një zonë të mbrojtur, pa lejen e organeve kompetente. Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna nga strukturat hetimore të DVP Elbasan, për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.
Materialet do t’i kalojnë për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Ndërtimi i paligjshëm”.
Arrestimi i tyre vjen në vijim të hetimeve intensive që drejtoria Elbasanit po kryen prej të paktën dy javësh. Kujtojmë se vetëm pak javë më parë u vu në pranga ish-kryeinspektori i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Elbasan, Mario Qosja, 38 vjeç, pasi dyshohej për shpërdorim detyre. Gjithashtu në pranga ra edhe 50-vjeçari, Ndriçim Kuqja, banues në Elbasan, i cili ndërtonte pa leje një objekt prej 1200 metër katror në zonën e llixhave, Elbasan.