SHKODËR- 2 ditë pasi u arrestuan si autorë të dyshuar të vrasjes së ish-kreut të Komunës Velipojë dhe ish-ndërtuesit Pashko Ujka në Shkodër, dalin sot para gjykatës Kristian Kelmendi, dhe Marjan Kola 53 vjeç, ky i dyti si person që është i përfshirë apo ka dijeni mbi vrasjen. Para Gjykatës së Shkodrës kanë folur familjarë të Marjan Kolës. Babai i tij ka thënë se kërkon drejtësi. Sipas tij djali ka qenë në Kosovë me datë 28 dhe 29 nëntor, dhe këtë tregojnë kamerat.
“Djali u arrestua pa prova. Ai ka qenë në Kosovë. Kur është bërë ngjarja këtu ai ka qenë në Prishtinë. Ai ishte shok me personin tjetër të arrestuar. Ne se kemi njohur kurrë viktimën. Në kthim nga Kosova ata janë arrestuar”, ka thënë ai.
“Në kërkojmë drejtësi nga shteti shqiptar. Dje kam qenë në Kosovë dhe kam kërkuar që të nxjerrin kamerat policia atje. Kam bërë kallëzim”, ka thënë vëllai i Marjan Kolës.
Familjarët pretendojnë se Marjan Kola ka qenë në një poligon qitjeje në Prishtinë, ndërkohë që kujtojmë se të dyshuarit Kelmendi i është gjetur gjurmë baruti në duar.
Pashko Ujkës i është bërë pritë pranë shtëpisë së tij, në lagjen “Vasil Shanto” në Shkodër. Ai mori plagë në shtyllën kurrizore dhe për pasojë humbi jetën në spital. Të dyshuarit dalin sot para gjykatës për masën e sigurisë.
Hetimet janë përqendruar jo vetëm me funksionin e tij si ish-kryetar i Komunës së Velipojës, por edhe si ndërtues, nisur nga fakti se ai është ndërtues i disa pallateve në qytetin e Shkodrës vitet e fundit. Dyshohet se një prej të ndaluarve (Kristian Kelmendi) ka pasur konflikt për një apartament me Ujkën. Ndërkohë janë sekuestruar kamerat e sigurisë të bizneseve dhe banesave përreth që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes. Pashko Ujka, u vra me armë tip silenciator në qendër të qytetit verior.
Si lindi konflikti?
Kristian Kelmendi, me origjinë nga Kelmendi, banonte në Trush. Më pas është zhvendosur në Shkodër, ku mësohet se i ka marrë Pashkos në pallat në Shkodër. Pasi i ka lënë disa kohë dhe nuk e ka paguar, Pashko i ka kërkuar që t’i marrë pronë. Kjo mendohet të jetë edhe shkak për ekzekutimin e 64-vjeçarit në Shkodër.
Por kush ishte Pashko Ujka?
Pashk Ujka, gjatë legjislaturës 2005-2009, ishte deputet i PDK-së në parlamentin Shqiptar, madje ishte kryetar i këtij grupi parlamentar dhe pjesë e koalicionit me Partinë Demokratike. Ndërsa në zgjedhjet e vitit 2009, ai doli pjesë e partisë Demokristiane që drejtohej nga Nikollë Lesi. Në zgjedhjet lokale 2011, Ujka kandidoi po nën siglën e PDK-së i mbështetur nga PS-ja në koalicionin për të ardhmen. Ujka ka shërbyer edhe si kryetar i komunës së Velipojës në vitet 2011- 2015 nën siglën e PS.