Moti i keq, me reshje shiu e erë të fortë, e ka bërë të pamundur ankorimin e tragetit me 118 pasagjerë që mbërriti nga Brindisi i Italisë në portin e Vlorës. Autoriteti Portual Vlorë bën me dije se prej orës 6 të mëngjesit trageti i linjës Vlorë-Brindisi-Vlorë po qëndron në radë dhe do të ankorohet sapo të përmirësohen kushtet atmosferike për të zbritur më pas pasagjerët.
Historia me pasagjerë që mbesin të bllokuar në traget për shkak të motit të keq, nuk është hera e parë që përsëritet në Portin e Vlorës. Më 30 nëntor, po për shkak të motit të keq, 129 pasagjerë në bordin e tragetit që vinte nga Brindisi mundën të zbrisnin në tokë pas 6 orësh në mes të detit të trazuar.
Ndërkohë sot është pezullua edhe lundrimi për anijet e peshkimit në Vlorë dhe mjetet e vogla, teksa dallgët në det shkojnë në lartësi nga 1.50 deri në 2.50 metra.
Sipas meteorologëve, mesdita e sotme pritet të sjellë një përkeqësim të mëtejshëm të kushteve të motit që do të vijojnë deri mëngjesin e së shtunës.