Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur në seancë ditën e sotme, ku po zhvillohen diskutime për një sërë çështjesh. Fillimisht diskutimet janë ndalur mbi projektligjin për ratifikimin e memorandumit me SHBA lidhur me vendosjen e kufizimeve të importit të kategorive të materialeve arkeologjike dhe etnologjike të Shqipërisë.
Në fjalën e saj, Ministrja e Kulturës Elva Margariti tha se nëpërmjet kësaj marrëveshje do të luftohet trafikimi i objekteve të trashëgimisë kulturore, duke theksuar se do të kthehen në Shqipëri veprat e konfiskuara në SHBA.
Po ashtu sot pritet të votohet edhe për marrjen e 60 milionë euro kredi nga Banka e Zhvillimit të Këshillit të Evropës për menaxhimin e pandemisë. Paratë do të përdoren për shpenzimet e bëra në qershorin e 2020 deri tani, dhe do të jetë si likuiditet në thesarin e shtetit për nevojat e vitit 2022. Marrja e huasë është kritikuar nga opozita.
Ndërkohë po në seancën e sotme do të kalojë për votim edhe emri i Denar Bibës për të marrë drejtimin e Autoritetit ët Konkurrencës.
Rendi i ditës :
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare datë 2.12.2021
2. Njoftime
3. Projektligj “Për ratifikimin e Memorandumit të Mirëkuptimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lidhur me vendosjen e kufizimeve të importit të kategorive të materialeve arkeologjike dhe etnologjike të Shqipërisë”.
4. Projektligj “Për disa shtesa në ligjin nr. 99/2021 “Për ratifikimin e vendimit të komitetit të Përbashkët EFTA – SHQIPËRI nr. 1 i vitit 2021 miratuar më 24.6.2021 për ndryshimin e protokollit B të marrëveshjes së tregtisë së lirë ndërmjet shteteve të EFTA-s dhe Republikës së Shqipërisë lidhur me përkufizimin e konceptit të “produkteve origjinuese” dhe metodat e bashkëpunimit administrativ dhe ndryshimi i marrëveshjeve për bujqësinë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës së Zvicrës dhe Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Islandës si pjesë përbërëse e saj”.
5. Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes kuadër të huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, për mbështetjen e përpjekjeve të Republikës së Shqipërisë për zbutjen e pandemisë Covid-19″.
6. Projektvendim “Për zgjedhjen e kryetarit të Komisionit të Konkurrencës”.
7. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës (60’).
Në përditësim…