Presidenti kilian Sebastian Pinera nënshkroi të enjten një ligj që legalizon martesat e të njëjtit seks, dy ditë pasi Kongresi miratoi një projektligj të kundërshtuar nga një prej kandidatëve kryesorë në zgjedhjet e javës së ardhshme për ta zëvendësuar atë.
Me ligjin e ri, Kili u bashkua me rreth 30 vende në botë dhe vetëm një pjesë të vogël të shumicës katolike në Amerikën Latine, ku çiftet e të njëjtit seks mund të lidhin martesë ligjërisht. Në Kili, ata tani mund të birësojnë edhe fëmijë.
“Sot ka ardhur koha për barazinë e martesës në vendin tonë, ka ardhur koha për të thelluar vlerat e lirisë dhe dinjitetit”, tha Pinera teksa firmoste projektligjin historik në selinë e qeverisë në Santiago.
“Ka ardhur koha për të shenjtëruar lirinë për të dashur dhe për të krijuar një familje dhe ka ardhur koha për t’i dhënë vlerë të plotë dinjitetit të të gjitha marrëdhënieve të dashurisë mes dy njerëzve”, shtoi ai.
Në Amerikën Latine, çiftet e të njëjtit seks deri më tani mund të martoheshin vetëm në Kosta Rika, Ekuador, Kolumbi, Brazil, Uruguai dhe Argjentinë, si dhe në 18 nga 32 shtetet e Meksikës.
Kili legalizoi bashkimet civile të të njëjtit seks në 2015 dhe ka qenë në pritje të miratimit të projektligjit të martesës që kur presidentja e atëhershme Michelle Bachelet e dërgoi atë në Kongres në 2017.
Në një lëvizje të befasishme, pasardhësi i saj konservator Pinera njoftoi në qershor se do të kërkonte miratimin urgjent të projektligjit, i mbështetur nga shumica e Kilianëve përmes Kongresit.
Çështja i ndan thellësisht dy kandidatët që do të shkojnë në balotazhin presidencial më 19 dhjetor. Gabriel Boriç, 35 vjeç, i cili përfaqëson një aleancë të majtë që përfshin Partinë Komuniste, mbështeti projektligjin dhe votoi “po” në cilësinë e tij si ligjvënës. Por kandidati 55-vjeçar i ekstremit të djathtë, Jose Antonio Kast, i cili fitoi 28 përqind të votave në raundin e parë krahasuar me 26 përqind të Boriçit, bëri fushatë kundër tij.