Ardhja e Sali Berishës në selinë blu nuk ka shkuar pa momente tensioni. Ka qenë kreu i FRPD-së, Belind Këlliçi i cili ka deklaruar se ka parë njerëz të armatosur në seli, teksa ka denoncuar live në Polici vjedhjen e zyrës së tij, siç e ka cilësuar, duke thënë se i janë marrë dokumente me vlerë.
“Shiko, ja ku janë njerëzit me armë, ja shikoni filmoni! Ka njerëz me armë’!, dëgjohet të thotë dikush në videon e siguruar nga Report Tv.
“Pres policinë shkencore sepse më është vjedhur zyra, të bëhet ekspertiza, më kanë vjedhur të gjitha të dhënat personale, dhe ka shumë tension se ka njerëz të armatosur”, tha Këlliçi në bisedën e tij me policinë.
Fill kësaj deklarate, ka ardhur edhe reagimi i ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili tha se kjo është një gjë e turpshme, pasi “bandat e qeverisë kanë hyrë në seli”.
“Bandat e qeverisë kanë hyrë edhe në selinë e PD. Nuk ka konflikt, prania e bandave të armatosura në seli është çështje e veçantë, të rinjtë thonë se erdhën dhe na kërcënuan me armë, janë në një hapësirë tjetër, nuk jam i rrezikuar, të rrezikuar janë ato që lozin me banda, se të fusin njerëz të armatosur është krim i shëmtuar, të mbajnë ato përgjegjësi. Demokratët të distancohen menjëherë nga këto akte të turpshme, ata që na kthenin armët ne, ishin kriminelë të sigurimit të shtetit, bandit të ish-diktaturës, por që ish-kryetari të kryejë një akt të tillë, përbën një krim të shëmtuar të gjithë anshëm. “, tha Berisha.