BEOGRAD – Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka konfirmuar se do të jetë në Tiranë në datat 20-21 dhjetor për të marrë pjesë në takimin e nismës “Open Ballkan”, ku pjesëmarrës do të jenë edhe kryeministrat Edi Rama dhe Zoran Zaev.
Lajmi është dhënë në të gjithë mediat serbe, duke u bazuar në një deklaratë të lëshuar nga zyra e shtypit së Presidencës serbe. Konfirmimi i takimit bëhet një ditë pasi ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, dje në emisionin “Opinion” paralajmëroi se presidenti serb do të pritet në Shqipëri me protesta kundër nismës së ndërmarrë mes tre vendeve.
Berisha dje nuk dha detaje lidhur me organizimin, por shtoi se “kryengritja” do të bëhet për të treguar se qytetarët shqiptarë nuk janë dakord me këtë nismë. Megjithatë duket se protesta nuk i pengon planet e Vuçiç për të takuar Ramën dhe Zaevin në Tiranë.