VLORË- Një 33-vjeçari i identifikuar si Indrit Sadedinaj, i është bërë atentat mesditën e kësaj të diele në Lungomare të Vlorës me tritol, i cili ishte vendosur në afërsi të garazhit ku kishte parkuar makinën. Sasia tritoli ishte i mbuluar me kartonë në mënyrë që mos të zbulohej, ndërsa ka shpërthyer me telekomandë sapo 33-vjeçari ka dalë nga garazhi, duke e lënë të plagosur.
I riu ka marrë plagë të shumta në gjymtyrët e poshtë dhe për pasojë është dërguar me urgjencë drejt spitalit të Traumës në Tiranë për të marrë mjekim më të specializuar. Burime bëjnë me dije se për momentin gjendje e tij shëndetësore është e mirë dhe sipas të njëjtave burime, familjarët e tij kanë arritur të komunikojnë me të.
Indrit Sadedinaj, nuk rezulton me precedent të mëparshëm penal, por megjithatë shkak për shpërthimin dyshohet konfliktet e mëparshme të 33-vjeçarit. Burime nga Policia e Vlorës për gazetarin e Report Tv, Armand Xhelili, bëjnë me dije se pista që po hetohet si motiv për atentatin është ajo e prishjeve të pazareve të drogës.
Pas atentatit forcat e FNSH kanë blinduar Vlorën, duke kontrolluar të gjithë automjetet që hynë dhe dalin nga territori. Deri më tani janë shoqëruar 6 persona.
Shpërthim i fortë ndodhi në lagjen “10 korriku”, duke alarmuar banorët e një zone mjaft të populluar.
Kjo nuk është hera e parë që ndaj Indrit Sadedinaj është bërë një atentat, pasi edhe katër vite më parë i është vendosur një sasi e madhe eksplozivi në makinë, e cila nuk ka shpërthyer, pasi e ka pikasur në kohë.