Kryeministri Edi Rama po zhvillon një mbledhje me kabinetin qeveritar, për të kryer një analizë mbi punët e bëra në 3-mujorshin e parë të mandatit të tretë.
Mësohet se fokusi i kësaj mbledhje është pandemia dhe rindërtimi, ndërsa nuk do të mungojë analiza edhe për punën e bërë nga ministrat e tjerë në 100 ditëshin e parë. Mbledhja ka nisur në orën 09:30, pa praninë e mediave dhe po zhvillohet në ‘Vila 30’, në ish-Bllok.
Sa i përket procesit të rindërtimit, shumë familje janë futur në shtëpitë e reja para festave të fundvitit, teksa afati për përfundimin e të gjithë procesit është pranvera e 2022.
Kujtojmë se Partia Socialiste, nën drejtimin e Edi Ramës, u fut në historinë e Shqipërisë, duke marrë një mandat të tretë radhazi, e duke u bërë kështu partia e parë që ka arritur ta sigurojë këtë rezultat në historikun e zgjedhjeve në vend. Socialistët arritën që të marrin 74 mandate në zgjedhjet e 25 prillit, të mjaftueshme për të qeverisur e vetme, pa pasur nevojën e një koalicioni, e ndërsa PD mori 59 mandate, kurse LSI vetëm 4 të tilla.