97 familje janë futur në banesat e tyre të reja në Lezhë, ku do të kalojnë festat e fundvitit në shtëpitë e reja të rindërtuara pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Para se t’u dorëzonte çelësat në dorë, kryeministri Edi Rama tha se ky është një moment i veçantë dhe emocionues që familjet e para po futen në shtëpi, ndërsa familjet e tjera do të hyjnë për vit të ri. Kryeministri tha se përtej fatkeqësisë, programi i rindërtimit po e kthen sfidën e tërmetit në kthesë transformimi të zonave të prekura.
Më vjen shumë mirë që sonte jam këtu bashkë me një pallat pas. Kështu që nuk thotë dot njeri se “ku i ke ato që thua”. Më vjen mirë se këtu jo vetëm që janë bërë gati 97 apartamente, por janë bërë gati 97 banesa më të mira, më të bukura dhe më të forta. Kur erdha dhe po shikoja pallatin përballë dhe po imagjinoja se si komshinjtë do rrinë duke i parë sikur kanë faj se atyre nuk iu ra tërmeti. Kjo ka qenë arsyeja që ne të ringrihemi më të fortë. Ajo që nuk të vret të bën më të fortë. Me kujtimin me dhimbje të humbjeve tragjike të jetëve që nuk kemi mundësi t’i kthejmë, Sot po i kthejmë pjesë-pjesë të gjitha familjet pas një periudhë te vështirë. nuk ju kemi lënë vetëm. Sado mbështetje dhe sot janë 100 familje në çadër për arsye të tyre, s’ka si shtëpia. jam i lumtur që shoh gjyshe, fëmijë të vegjël, që do i thonë ‘gëzuar’ njëri-tjetrit në një shtëpi të re. Mbase do të mendohen se politikanët nuk janë të gjithë njësoj. Nga ana tjetër ne nuk jemi më të mirët e mundshëm, por më të mirë se sa ne, harrojeni se ka”, tha Rama.
Rama tha se brenda vitit që vjen nuk do të ketë më familje që qëndrojnë në çadra dhe se të gjitha gjërat që ka premtuar do të mbahen:
“Për ata në Durrës, ata në Tiranë që presin të kthehen në shtëpi, kjo kërkon kohë. Dua t’ju them se asgjë nga ato që kemi thënë nuk është harruar. Gjithçka që kam thënë do të jetë ashtu siç e kam thënë. Zotimet nuk arrihen dot të mbahen aq shpejt sa ti do, por kurrë mos të mendojë askush se i them fjalët sa për të kaluar radhën. Nëse diçka apo disa gjëra nuk arrihen që të bëhen në kohën e premtuar, kjo është se nuk duam. Brenda vitit të ardhshëm do i kemi të gjitha familjet nëpër shtëpi dhe kujtesa do të jetë në mendje dhe jo në rrënoja”, tha Rama.
Më pas, Kryeministri vizitoi disa prej apartamenteve të përfunduara, si dhe mjediset e përbashkëta të pallateve, parkingjet dhe ambiente të ndryshme, duke vijuar vizitën në disa objekte të arsimore në rindërtim e sipër.