MAT– Mungesa e energjisë elektrike në stinën e dimrit është kthyer në një problem shumë të madh për të gjithë banorët e Bashkisë së Klosit. Problemet që ka rrjeti i transmetimit dhe i nënstacionit të Suçit bën që abonentët të rrijnë me orë e ditë pa rrymë elektrike. Situata sipas banorëve është shqetësuese pasi ndonëse janë pagues të rregulltë të faturave të energjisë, rryma mungon në një pjesë të madhe të kohës.
Banorët fajësojnë rrjetin e amortizuar, por më shumë nënstacionin e Suçit në të cilin sipas tyre nuk është bërë investim këtu e 40 vite më parë. Pasojat më të mëdha janë tek bizneset të cilat po dëmtohen rëndë nga ndërprerja e energjisë jo vetëm në pengimin e punës, por edhe djegien e pajisjeve. Banorët e Bashkisë Klos kërkojnë zgjidhje të menjëhershme të këtij problemi, në të kundërt paralajmërojnë protesta.
“Sa herë fryn sa herë është kohë e keqe këtu nuk ka drita. Kemi gjëra në frigorifer dhe prishen. Nuk kemi zgjidhje,”- thotë një banor.
Ndërkohë, problematikën me furnizimin me energji elektrike e pranon edhe Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu, i cili shprehet se rrjeti përcjellës dhe nënstacioni i Suçit kanë nevojë për investim.