LEZHË– ‘Nga rrënojat dhe terri i dëshpërimit prej pabesisë së tërmetit, ka lindur shpresa plot dritë e një jetë për 500 familje’, kështu tha kryeministri Edi Rama nga qyteti i Laçit, teksa ishte i pranishëm në ceremoninë e dhurimit të banesave të reja për banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit në këtë zonë. Kreu i qeverisë nuk e fshehu gëzimin dhe shtoi se mezi po priste që të vinte kjo ditë, pasi në këtë mënyrë do t’u mbyllet goja skeptikëve të cilët nuk besonin se do të rindërtoheshin në një kohe rekord banesat e reja.
Një falenderim të veçante kreu i qeverisë e kishte edhe për presidentin turk Rexhep Tajip Edogan, qeveria e të cilit ka financuar ndërtimin e mbi 500 njësive të reja të banimit, ku tha se ai u gjend krah ‘nesh si të kishte lindur këtu, duke vënë në dispozicion gjithë miqësinë e tij’. Kreu i qeverisë nuk la pa thumbuar edhe Partinë Demokratike, ku tha se qeveria ofron banesa, ndërsa PD, vetëm brava. Po ashtu Rama vlerësoi edhe potencialin turistik që ka qyteti i Laçit, ku tha se turizmin fetar në Kishën e Laçit, mund të kthejmë në mundësi të madhe ekonomike për të gjithë qytetin dhe fshatrat përreth.
‘Laçi ka një potencial të madh për tu bërë një qytet që do të jetojë me turizëm. Ju keni nje destinacion të hatashëm, edhe në shkallë Europe. Prirja është që njerëzit që vijnë në Kishën e Laçit, t’i mbajmë një natë këtu. Ne do ta bëjmë këtë qytet turistik, të ngrihen bujtina përreth. Atë turizëm të jashtëzakonshëm fetar ta kthejmë në një mundësi të madhe ekonomike për gjithë qytetin dhe fshatrat përreth.’- tha Rama.
I pranishëm ishte edhe ambasadori turk Murat Ahmet Yörük, si dhe ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj. Ambasadori turk tha se janë ndërtuar 522 banesa, ndërtimui i të cilave ka kushtuar 42 mln euro.