Nga sot, për të hyrë në Republikën e Kosovës, secili qytetar duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit me dy doza të vaksinës anti-COVID, në të kundërtën, nuk do të mund të hyjë. Dhjetëra qytetarë nga Shqipëria që kanë kryer një dozë vaksine, apo me test PCR, janë kthyer mbrapsht nga policia kufitare e Kosovës në Morinë. Kjo pasi nga sot nuk vlen asnjë dokument tjetër, apo test PCR, por vetëm vaksinimi me dy doza.
Qeveria e Kosovës më datë 1 dhjetor të vitit të kaluar ka miratuar masat anti-COVID, të cilat kanë hyrë në fuqi menjëherë, mirëpo, një pikë e këtij vendimi ishte lënë për datën 3 janar të vitit 2022. Sipas këtij vendimi, nga sot, për të hyrë në Kosovë, secili person duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë (me dy doza) kundër COVID-19.
Ndërkaq personat të cilët nuk i kanë bërë dy dozat e vaksinës, do të kenë mundësi të vaksinohen në pikën kufitare aeroportin “Adem Jashari” dhe në pikat kufitare në Vermicë, Merdare, Dheu i Bardhë dhe Hani i Elezit.
Sipas masave anti-COVID që janë në fuqi, lëvizja e qytetarëve lejohet nga ora 05:00 e mëngjesit, deri në orën 00:00 të mesnatës. Lokalet e gastronomisë lejohen të punojnë deri në orën 23:00, ndërkaq muzika duhet të ndalet në orën 21:30.