Lulzim Bashës i skadoi afati i ultimatumit që Sali Berisha i kishte vendosur për të liruar selinë e PD dhe për të lënë lidershipin. Ndërsa në PD nuk u shfaq thuajse asnjë lloj lëvizje gjatë gjithë ditës, mbështetësit ‘pro Berishës’ kanë shkuar pas mesditës në selinë blu. Edhe pse prej ditës së djeshme dyert e PD ishin të kyçura, një grup i Komisionit të Rithemelimit , me në krye Flamur Nokën, kanë tentuar të hapin çdo derë, por e kanë gjetur atë të mbyllur. Berisha kishte vendosur që të dërgonte vetëm Nokën dhe disa deputetë në këtë ‘mësymje’ të parë duke mos qenë vetë i pranishëm.
Ndonëse e konsideroi selinë blu si një burg të sigurisë së lartë dhe e krahasoi atë më një “Alkatraz modern”, Noka tha se Basha tregoi edhe një herë se është peng i Ramës dhe se në protestën e 8 janarit godina e ‘blinduara dhe bunker’ e PD do të kthehet në shtëpinë e lirë të demokratëve, ndërsa siguroi se kjo protestë do të jetë paqësore.
Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi e konsideroi ‘show mediatik’ përpjekjen e Nokës dhe mbështetësve të Berishës për të hapur dyert në seli. Sipas Bardhit, në seli po kryhen punime, teksa thekoi se dyert janë të hapur për çdo demokrat apo anëtarë të PD që nuk shoqërohet me trafikantë droge. Ai theksoi po ashtu se nuk do të lejohen në seli grupi i strukturuar kriminal B9, që u përmend një ditë më parë edhe nga Basha, me të cilët tha se Berisha dhe familja e tij bëjnë biznes.
Sali Berisha i dha ultimatum Bashës që të lironte zyrën deri më 5 janar në të kundërt do të shkojë në ‘shtëpinë e demokratëve’, por kryedemokrati i është përgjigjur duke ‘fortifikuar’ më tej selinë, duke i paraprirë një sulmi të mundshëm. Ndërkohë më 8 janar, Berisha ka paralajmëruar për protestë para selisë blu ‘thirrur për forcimin e PD-së’. Është publikuar edhe slogani i kësaj ‘Proteste Kombëtare’: ‘Jo bunker i pengut, por shtëpi e demokratëve’. Protesta është planifikuar të nisë në orën 12:00 para selisë së PD.
Ditën e djeshme, përplasja mes Berishës dhe Bashës arriti kulmin, teksa kryedemokrati artikuloi akuza të rënda ndaj Berishës që nuk i kishte përmendur më parë. Sipas Bashës, Berisha bën biznes dhe pastron para me trafikantët e drogës të shpallur “Non Grata” nga Britania e Madhe. Basha nuk përmendi emra konkret, por foli për pjesëtarë të një organizate kriminale B9, me të cilët thotë se Berisha dhe familja e tij bëjnë biznes me pasuri të paluajtshme me ta në një skemë të pastër pastrimi parash si dhe ndajnë edhe fitimet nga bizneset me lojërat e fatit.
Kujtojmë se krahas betejës fizike për selinë, Berisha dhe Basha kanë nisur edhe një betejë në gjykatë, për legjitimimin e statuteve. Sali Berisha ka dërguar në gjykatë për konfirmim statutin që miratoi në Kuvendin e 11 dhjetorit 2021, ndërsa në gjykatë për konfirmim ka dërguar edhe Lulzim Basha statutin e ndryshuar të PD-së, ndonëse 5 muaj më vonesë. Konflikti në PD nisi në 9 shtator 2021, ditën kur Lulzim Basha, pas një ultimatumi nga SHBA, pezulloi Sali Berishën si anëtar të grupit parlamentar të PD-së, për shkak se ishte shpallur non grata për korrupsion madhor, shantazh ndaj drejtësisë dhe minim të demokracisë.