Nga selia e rrënuar e Partisë Demokratike, e cila u dëmtua një ditë më parë nga militantët e thirrur në protestë nga Sali Berisha, kryetari i PD-së Lulzim Basha tha se sot nuk është një ditë për të festuar. E nga rrënojat, e kësaj selie, sipas Bashës është koha që kjo parti të ringrihet më e fortë, për të çuar betejën për ndryshimin deri në fund, betejë e cila, sipas kryedemokratit është ndërprerë nga masakra e 25 prillit. Për fat, tha kreu i PD-së, nuk pati gjakderdhje, gjë të cilën e deshi Sali Berisha, i cili sipas tij eksitohej nga dhuna që u ushtrua dje dhe demokratët e lënduar.
‘Sot është një ditë bilanci i të djeshmes tragjike për demokratët dhe të të gjithë shqiptarët! Trishtim i thellë për atë që ka ndodhur dje. Sot është një ditë për tu krenuar apo për të qeshur siç bëri ai më para. Nuk është ditë për të vallëzuar mbi rrënojat e dhunës, ndaj një agresioni që nuk ka asgjë të përbashkët me vlerat tona. Është një ditë për të përsëritur që provat janë para demokratëve. Nëse PD nuk e merrte Sali Berishën pasi u shpall ‘non grata’ në mbrojtje, atëherë PD nuk duhet të egzistonte! Nuk ja doli të manipulonte demokratët. Nuk mund të marrë peng shpresat dhe aspiratat e sakrificat qindra demokratëve. Sot nuk kam buzëqeshje në fytyrë. Për fat të mirë dje nuk pati gjakderdhje ashtu siç dëshironte Sali Berisha.’- tha Basha.
Lulzim Basha tha se ai bashkë me demokratët do të jetë garancia për ndryshimin, ndërsa hodhi akuza se Edi Rama është në krah të Sali Berishës. Basha shtoi se ai është aty për t’ua ndërprerë vallen oligarkëve, që janë aleatë të politikës së trekëndëshit të Bermudës (Rama-Berisha-Meta), të cilët duan që të zhvendosin vëmendjen nga problemet e vërteta që kanë shqiptarët.
Ditën e djeshme mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha sulmuan selinë e Partisë Demokratike. U desh ndërhyrja e policisë, që situata të vihej nën kontroll në pak minuta, pasi por rrezikohej seriozisht jeta e deputetëve që ndodheshin brenda selisë si dhe kreut të PD-së Lulzim Bashës. Nga ana tjetër Sali Berisha shkoi vetë sot në vendin e krimit, ndërsa i cilësoi ‘dhunuesit’ si heronj duke shtuar ato ruajtën gjakftohtësinë dhe rrëzuan dyert e blinduara të ‘Lul Bravës’.