Partia Demokratike ka publikuar sot një video ku denoncon me pamje dhe me emra atë që ajo e quan si ‘skema e sulmit dhe dhunës së organizuar’. Sipas PD gjithçka ishte e planifikuar me detaje nga banda kriminale e Sali Berishës.
‘Dhuna kundër PD u organizua dhe planifikua deri në detaje. Sali Berisha madje përzgjodhi një grup mercenarësh të drejtuar nga Flamur Noka për të goditur demokratët që ishin brenda selisë. Sali Berisha dhe banda e tij kriminale bënë gjithçka për të përplasur demokratët më njëri-tjetrin, por dështuan. Kryesia e PD, Kuvendi Kombëtar, Këshilli Kombëtar dhe mbarë demokratët qëndruan fort për të mos e kthyer partinë në bunkerin e një personi të shpallur non grata për korrupsion madhor nga partneri ynë strategjik. Demokratët e kanë braktisur platformën e dhunës dhe të bashkuar do të ndërtojnë mbi rrënojat e se shkuarës, një PD moderne dhe europiane si alternativën më të mirë për ta nxjerrë Shqipërinë tonë nga tranzicioni 30 vjeçar’, thuhet në njoftimin e PD.
Ndër emrat e denoncuar nga PD janë Gazmir Spahija, drejtor i Syri Tv, ish-drejtor i Tatimeve, Grigels Muçollari, Myftar Lumneshi, sipas PD anëtar i Grupit Kriminal B9 si dhe Klevis Balliu.
Përmes një raporti 8-faqësh, që përshkruan në orë pas ore atë që ndodhi në selinë e blu gjatë protestës së dhunshme të 8 janarit duke e shoqëruar edhe me foto të dhunës në seli, militantë me vare e çekiçë në duar, ndërsa përgjegjësin kryesore dhe udhëzuesin e të gjithë kësaj dhune PD bën fajtor Sali Berishën.
8 janari shënoi një ngjarje dramatike për Partinë Demokratike por edhe për imazhin e vendit. Mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha sulmuan selinë e Partisë Demokratike me vare e çekiçë duke thyer dyert e blinduara dhe dritaret e godinës. Kur protestuesit hynë në katin e parë, përfaqësues të PD lajmëruan policinë të ndërhynte pasi po rrezikohej jeta e deputetëve që ndodheshin në katin e dytë të selisë. U desh ndërhyrja e policisë, që situata të vihej nën kontroll në pak minuta, ndërsa godina e PD u kthye në skenë krimi ku u mblodhën prova dhe materiale filmike nga kamerat e sigurisë duke arrestuar 34 persona dhe 18 nën hetim.
Ditën e sotme kryesia e PD vendosi përjashtimin e Sali Berishës dhe 8 anëtarëve të tjerë që ishin pjesë e Komisionit të Rithemelimit, Bujar Nishanin, Flamur Nokën, Albana Vokshin, Edmond Spahon, Arben Ristanin, Rigels Muçollari, Klevis Balliun dhe Keltis Krujën. Gjithashtu janë pezulluar 19 anëtarë të PD-së deri në distancimin e tyre nga dhuna.