TIRANË– Pas një periudhe të gjatë, ku iu nënshtrua një rikonstruksioni total dhe delikat, Xhamia e Et’hem Beut, simboli i kryeqytetit shqiptar i rikthehet funksionalitetit. Financimi i saj është bërë nga Turqia, e për presidentin turk Erdogan ajo reflekton vlerat e përbashkëta kulturore, e ndërsa tha se shpreson që të mbyllen punimet për xhaminë e Namazgjasë brenda muajit të Ramazanit (2 prill-1 maj).
“Kjo vepër xhevahire në mes të Tiranës reflekton vlerat e përbashkëta kulturore të Shqipërisë dhe Turqisë. (…) Uroj dhe dëshiroj që shumë shpejt mbase deri në muajin e Ramazanit ta kemi zgjidhur edhe problemin e xhamisë së ‘Namazgjasë”, tha Erdogan.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se së shpejti nis puna për rilindjen e xhamisë së Plumbit në Shkodër.
““Po e mbyll fjalën time se së shpejti falë punës që po bëhet do të fillojë edhe puna për rilindjen e xhamisë së Plumbit në Shkodër, një nga perlat tona kulturore“, tha Rama.
Inaugurimi i xhamisë së Et’hem Beut shënon fundin vizitës disa orëshe të presidentit turk Erdogan në Shqipëri. Ardhja e Erdogan në vendin tonë kishte si qëllim kryesor për të dorëzuar çelësat e shtëpive banorëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit. Një lagje e re me 522 banesa që kushtuan 42 mln euro, të financuara nga Turqia, e që për Erdogan shërbejnë për të forcuar më tej marrëdhëniet mes dy palëve. Ai u nderua me titullin “Qytetar Nderi i Kurbinit” e ndërsa një shesh në Laç do të mbajë emrin e tij. Më pas, ai iu drejtua kryeministrisë, ku mbajti një konferencë për mediat në të cilat tha se vendi ynë duhet të marrë masa kundër organizatës ‘FETO’ e ndërsa së bashku me Ramën thanë se marrëdhënia mes dy vendeve nuk duhet të jetë shqetësuese për SHBA-BE. Më pas Erdogan përshëndeti deputetët e Shqipërisë me një fjalë përshëndetëse në Kuvend dhe në fund, inauguruan xhaminë Et’hem Beu në Tiranë.
Historiku i xhamisë së Et’hem Beu
Kjo xhami është e vetmja ndër tetë xhamitë e shekullit XVIII-XIX të ndërtuara në Tiranë që e shohim ende sot. Themelet e saj i vuri në vitin 1794 Molla Beu por ai vdiq në vitin 1807, pasi kishte përfunduar kubenë. Faltoren e plotësoi i biri i tij, Haxhi Et’hem Beu, në vitin 1821, duke ndërtuar minaren, çatinë, portikun si dhe duke përfunduar zbukurimet e pikturat e brendshme. Dy vjet më vonë në vitin 1823 përfunduan pikturat dhe zbukurimet e jashtme. Kjo xhami është pjesë e ndërtesave komplekse që përbëjnë qendrën historike të Tiranës dhe përbën një kompleks arkitektonik së bashku me Kullën e Sahatit. Xhamia e Et’hem Beut është shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitin 1948.