TIRANË-Për Qeverinë e re gjermane nuk ka asnjë qëndrim të ndryshuar për Shqipërinë. Vendi ynë i ka plotësuar kushtet dhe duhet të hapen sa më parë negociatat me Bashkimin Evropian. Mesazhin e ka dhënë në Tiranë ministrja e re federale për Evropën, Anna Luhrmann.
Pas takimit me zv. kryeministrin Ahmetaj, Luhrmann nënvizoi shpreson që ‘vetoja’ bullgare të marrë fund sa më shpejt, ndërkohë që nga ana e tij zv. kryeministri shqiptar tha se integrimi nuk mund t’i lihet lojërave të vendeve të treta.
Ministrja gjermane mbështeti hapur edhe nismat si ‘Ballkani i Hapur’. Ajo tha se Procesi i Berlinit mbetet prioritar për Qeverinë federale por nismat e liderëve të rajonit janë të mirëpritura dhe duhet të çojnë drejt një tregu rajonal. Sipas saj duhet të bëhet gjithçka që të jenë gjithëpërfshirëse.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë dy vendet e para, pas Francës në dhjetor, që ministrja gjermane e Evropës i viziton që kur ka ardhur në detyrë në dhjetor të vitit të kaluar. Një dëshmi kjo, që qeveria e re mes të gjelbërve, socialdemokratëve dhe liberalëve, sikurse e ka shprehur dhe në marrëveshjen e koalicionit, e merr seriozisht perspektivën evropiane të rajonit. Qysh në pjesëmarrjen e saj të parë në takimin e rregullt të Këshillit të Ministrave të Evropës, që u mbajt në 14 dhjetor në Bruksel, Luhrmann kërkoi fillimin e konferencave ndërqeveritare me dy vendet.