TIRANË– Për shkak të problemeve me sistemin ngrohës dhe parashikimit për temperatura të ulëta deri që -17 gradë celsius në zona të thella, Ministria e Arsimit ka bërë me dije se do të mbyllen shkollat në të gjithë vendin për 3 ditë. Bëhet fjalë nga data 24-26 janar, nga e hëna në të mërkurë, duke sqaruar se orët e humbura do të zëvendësohen.
” Për këtë arsye, duke qenë se prioriteti ynë absolut në çdo kohë është shëndeti dhe mirëqenia e fëmijëve tanë, kemi vendosur që shkollat të mbyllen javën e ardhshme, nga dita e hënë deri të mërkurën, dhe orët e humbura do të zëvendësohen në vijim pas një njoftimi të dytë në bashkëpunim me zyrat vendore arsimore”, thuhet në njoftim.
Megjithatë, në rast se parashikimi i motit, pra që temperaturat do të shkojnë deri -17, nuk do të rezultojë të saktë dhe moti do i jetë më i ngrohtë, atëherë vendimi për mbylljen e shkollave do të rishikohet.
“Natyrisht nëse parashikimet nuk do të dalin të sakta, dhe temperaturat do të jenë më të pranueshme, ne do ta rishikojmë këtë vendim dhe do të jemi në komunikim të vazhdueshëm me ju, sepse për ne edhe procesi mësimor ka rendësi prioritare”, sqarohet në njoftim.