TIRANË– Një banesë e përshtatur si hotel në zonën e Laprakës ishte kthyer në vatrën e qëndrimit të emigrantëve të paligjshëm që vijnë nga vendet e treta dhe përdorin Shqipërinë si një vend për të depërtuar në drejtim të shteteve të Bashkimit Evropian.
Në operacionin e koduar “Just in time” të Drejtorisë së Policisë së Tiranës u gjetën brenda ambienteve të kësaj banese 30 emigrantë të huaj, të cilët mbaheshin në këto dhoma, pa u lejuar të dilnin, duke iu marrë mjetet e komunikimit dhe duke i kërcënuar familjarët në vendet e origjinës, për kryerjen e pagesës së transportit të këtyre shtetasve, drejt vendit tonë. Emigrantët që vinin kryesisht nga vendet e Lindjes së Mesme mbaheshin në katin e parë, të tretë dhe të katërt të vilës që ishte në pronësi të shqiptarit Mentor Kuka.
Në kuadër të operacionit u proceduan penalisht edhe 14 emigrantë të huaj, që akuzohen për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror të Republikës së Shqipërisë.
Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht dhe 14 shtetasit e huaj, për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”. Policia ka dyshime se në këtë aktivitet kriminal janë të përfshirë edhe persona të tjerë, ndërsa po punohet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar në të.
Ky nuk është rasti i parë që në kryeqytet strehohen emigrantë të paligjishëm, kryesisht në ambiente të përshtatura si hotele. Të gjithë imigrantët e parregullt shprehin haptas qëllimin e tyre për të udhëtuar drejt Gjermanisë, Austrisë, Suedisë, Italisë apo vendeve të tjera anëtare të BE-së. Në këto kushte, rrjete të organizuara të kondrabanduesve të përbëra nga shtetas grekë, shqiptarë dhe të vendeve të treta, në shumë raste organizojnë, kundrejt pagesës, udhëtimin e tyre drejt Italisë apo deri në kufirin me Shqipërinë. Një pjesë e mirë e tyre arrijnë të depërtojnë brenda territorit. Këto grupe kanë arritur të ngarkojnë edhe video në YouTube, ndërsa japin instruksione se si të kalojnë transit nga territori i vendit tonë.