TIRANË– 8 ditë pas shembjes së banesës së tyre, banorët e ‘5 Majit’ kanë pritur që Bashkia të bëjë një dëgjesë publike me ta, por kjo nuk ka ndodhur dhe për pasojë ato janë ngritur sërish në protestë para Kuvendit. Me pankarta në duar dhe me Nënë Lizën në krye, që u shndërrua simbol i protestës së ‘5 Majit’, kanë kërkuar një takim me deputetët duke theksuar se nuk do të firmosin asnjë marrëveshje pa pasur një dëgjesë publike që t’u tregojë me saktësi se kur do t’i jepen në dorë çelësat e shtëpisë së re. Sipas tyre, në dokumentin që u është dhënë nga zyrtarë të Bashkisë nuk ka asnjë datë se kur do u jepet shtëpia e re dhe sot kanë kërkuar takim me deputetet.
Në një moment ato kanë pasur edhe tensione me policinë pasi këto të fundit, u kërkonin që të lironin rrugën.
Policia: Po bllokoni rrugën. Jam në detyrë dhe nuk po zbatoj urdhrat e askujt.
Protestuesi: Po mbroj shtëpinë time. Mos zbatoni urdhra të paligjshëm.
Banori: Pse dilni ju vëllezër dhe motra që po na bllokoni rrugë, po shkelni të drejtat themelore të njeriut. Mos ma tund kokën mua, s’po të shaja, mos bëni presion se do e keni gabim, nuk kemi punë t’i kapin, thjesht duam që t’i tregojmë të drejtat tona. Kush do të ikë dikush nga një vilë 3 katëshe dhe të hy në pallat 100-200 m2, mos e mashtroni popullin, mos shikoni vetëm pronat tuaja, kemi dalë të mbrojmë djersën tonë, ne po kërkojmë lekët që i mori Basha me pallatin në Vlorë, aq lekë i duhen.
Mirëpo teksa, banorët po protestonin jashtë, asnjë nga deputetët nuk u ndal që t’i takonte dhe seanca plenare vijoi normalisht si çdo herë tjetër.