Komisioni i Rithemelimit i krijuar nga Sali Berisha, po mban sot primaret në të gjashta bashkitë ku do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme vendore, Durrës, Vorë, Rrogozhinë, Shkodër, Dibër, Lushnjë ku anëtarët e degëve do të votojnë për kandidatin e preferuar. Votimi ka nisur që në orën 08:00 në 9 Qendrat e Votimit, në 6 bashkitë ku do të mbahen zgjedhjet e pjesshme, dhe pritet të zgjasë deri në orët e pasdites.
E teksa Sali Berisha nuk është regjistruar ende në zgjedhjet e pjesshme vendore, ndërsa nuk dihet nëse do të futet në koalicion me LSI apo do kandidojnë si të pavarur nëse kandidatët e tij do të marrin pjesë si të pavarur, mbështetësi i tij, Flamur Noka tha se skenari është gati dhe se do të bëhet publik në ditët në vijim.
Komisioni i Rithemelimit publikoi dje emrat e kandidatëve për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, teksa ftoi anëtarët e PD në degët Dibër, Durrës, Lushnjë, Rrogozhinë, Shkoder që sipas tyre të bëhen pjesë procesit të votimit në primare “si ushtrim i demokracisë, si proces përbashkues, për një Parti Demokratike më të fortë, më të bashkuar”.
Selia blu reagoi menjëherë ditën e djeshme nëpërmjet një deklarate, ku tha se as Berisha dhe as emrat që ai ka publikuar s’kanë lidhje me demokratët dhe Partinë Demokratike.
Sipas PD me farsën e radhës, Berisha po përpiqet të dëmtojë PD për interesat e tij personale.
“Berisha mund të përdorë çdo njeri për hallin e ‘non gratës’ së tij, por as ai, dhe as ata nuk kanë më asnjë lidhje me Partinë Demokratike. Ky është përdorimi dhe mashtrimi i radhës që Sali Berisha u bën edhe atyre pak demokratëve që nuk e kanë kuptuar akoma hallin e tij”, thuhet në reagimin e PD.
Si paraqitet pjesëmarrja e anëtarëve të PD deri në këto momente në 6 bashkitë?
Bashkia Vorë- Pjesëmarrja në Bashkinë e Vorës është relativisht e ulët deri në këto momente. Nga 1400 anëtarë, deri më tani kanë votuar 125. Pritshmëritë nuk janë shumë të larta lidhur me pjesëmarrjen, pro mbetet për t’u parë deri në mbylljen e kutive të votimit.
Shkodër- Pjesëmarrja në Shkodër deri në këto momente është e lartë dhe interesi i demokratëve po ashtu. Një pjesë e anëtarëve janë përballur me mungesën e emrit të tyre në listën e anëtarëve, por siç raportoi dhe gazetari Ergys Kavaja u zgjidh vetëm disa momente më vonë. Radhët e mbështetësve të Berishës për të votuar janë të gjata.
Durrës- Nga 2700 anëtarë, 400 prej tyre kanë votuar deri në këto momente. Duke marrë parasysh numrin që kanë votuar deri më tani dhe votimet e shkuara, do të ketë një pjesëmarrje të lartë, rreth 2000 anëtarët, kjo sipas gazetarit Aldo Mustafa.
Dibër- Procesi në Dibër ka vijuar pa probleme. Nga 1150 anëtarë, deri më tani kanë votuar 250 prej tyre.
Lushnjë- Mbarëvajtja e procesit të votimit në Lushnjë paraqitet e qetë. Nga 1100 anëtarë të regjistruar, deri më tani kanë votuar 700 prej tyre.
Rrogozhinë- Procesi në Kukës deri në këto momente ka vijuar normalisht.
Kandidatët në primaret e Komisionit të Rithemelimit të Berishës
DIBËR: 1. Behar Baudin Dema, ekonomist; 2. Dafina Bajram Muda, psikologe; 3. Premtim Riza Kryemadhi, arsimtar.
DURRËS: 1. Ardian Mihal Muka, inxhinier urbanist; 2. Silvja Xhemal Gjepali, IT.
LUSHNJË: 1. Arben Ibrahim Zaimi, jurist – avokat; 2. Elton Ilir Bano, jurist – avokat; 3. Eurion Ylli Iljazi, arsimtar edukimi fizik; 4. Indrit Hysen Qerimi, arsimtar edukimi fizik.
RROGOZHINË: 1. Eqerem Ymer Deliu, ekonomist; 2. Hajrulla Muharrem Tafa, arsimtar; 3. Hekuran Selman Xhani, mjek veteriner; 4. Sokol Xhemal Gosa, arsimtar histori gjeografi; 5. Vladimir Selman Manushi, mjek dentist.
SHKODËR: 1. Alfred Ernest Kocobashi, jurist; 2. Arben Xhavid Maliqi, jurist; 3. Astrit Myfid Bushati, Jurist; 4. Bardh Ali Spahia, Mjek; 5. Irena Lodovik Shestani Shala, mjeke; 6. Irma Musa Kopliku Alushi, pedagoge matematike.
VORË: 1. Luan Gani Beta, Inxhinier; 2. Lulzim Sefer Vrana, Ekonomist.
Në përditësim…