Duke nisur nga dita e sotme të gjitha makinat me targa serbe që hynë në Kosovë do të detyrohen të të pajisen me targa të përkohshme të Republikës së Kosovës. Vendim I cili u morr pasi pala serbe nuk njeh targat e Kosovës.Vendimi për këtë është nënshkruar sot, nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.
Ndërkaq tashmë kanë nisur të hyjnë veturat e para nga Serbia në Kosovës, të cilave nëpër pikat kufitare po iu vendosen tabelat e përkohshme. Në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës, obligohet që të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në Kosovë të pajisen me targa të përkohshme, që sipas këtij vendimi pajisja me këto targa bëhet në të gjitha pikat kufitare të Kosovës.
Me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, e cila u arrit në korrik të vitin 2011 në dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Këtë vit, Ministria e Brendshme e Kosovës ka njoftuar se do të hiqen nga qarkullimi të gjitha targat KS dhe veturat e Republikës së Kosovës do të bartin vetëm targat RKS.
Përmbajtja e dokumentit të nënshkruar nga Sveçla:
Është e detyrueshme pajisja me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në Territorin e Republikës së Kosovës. Pajisja me targa të përkohshme bëhet në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Republikës së Kosovës.
Është e detyrueshme për shoferët e mjeteve që targat e përkohshme t’i vendosin në vende të dukshme, para dhe mbrapa mjetit.
Vlefshmëria e targave të përkohshme është 60 ditë.
Taksa për targat e përkohshme nga pika 1 e këtij vendimi është 5 euro.
Palët do të pajisen me vërtetim si zëvendësim i certifikatës së regjistrimit të automjetit.
Obligohet Agjencia e Regjistrimit Civil dhe Policia e Kosovës për zbatimin e këtij vendimi.